NATO: Nuk do t’i njohim kurrë aneksimet e paligjshme të Rusisë

Botë | 4 vite më parë

NATO ka rikonfirmuar mbështetjen për Ukrainën, ndërsa ka deklaruar se nuk do të njohë kurrë aneksimet e paligjshme të Rusisë.

“Sulmet të vazhdueshme të Rusisë ndaj rrjeteve civile dhe energjetike ukrainase po privojnë miliona nga shërbimet bazë njerëzore. Aleatët do të ndihmojnë Ukrainën teksa ajo riparon infrastrukturën energjetike dhe mbron njerëzit nga sulmet me raketa”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

NATO është zotuar t’i japë më shumë armë Ukrainës dhe të ndihmojë në rregullimin e infrastrukturës kritike të energjisë të dëmtuar rëndë nga sulmet masive të raketave ruse dhe dronëve.

Dy muaj më parë, presidenti rus Volodymir Putin nënshkroi marrëveshje me autoritetet separatiste të rajoneve, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës për bashkimin me Rusinë, pas “referendumeve” të mbajtura nga 23 deri më 27 shtator. Votimi erdhi më shumë se shtatë muaj pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt.

Referendumet janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, me kombet evropiane dhe SHBA-në që i quajtën “të rreme” duke theksuar se nuk do të njihen. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e konsideroi të pavlefshëm dhe pa pasoja ligjore vendimin e Putin-it për të aneksuar katër rajonet ukrainase.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme