Ndeshja Shqipëri-Bjellorusi/ Policia plan masash, rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e cila do të luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Plani i masave mbështetet në përvojën pozitive të strukturave të rendit gjatë aktiviteteve ndërkombëtare, duke përcaktuar detyra të qarta për të gjitha strukturat e përfshira në menaxhimin e situatës.
Në zbatim të planit, punonjësit e Policisë së Shtetit do të kryejnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, produkteve kozmetike dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia u bën thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi fluksi i madh pak para nisjes së ndeshjes mund të pengojë hyrjen e tyre. Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, janë angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do të ofrojnë ndihmë dhe informacion në rast nevoje, me synimin që ndeshja të përmbyllet pa incidente dhe të ruhet imazhi i vendit.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Bjellorusisë, që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 26.09.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (koridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
-Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




