Ndezi zjarr në tokën në pronësi të babait të tij, flakët u përhapën në disa fshatra, arrestohet 20-vjeçari në Fier
Policia e Fierit ka arrestuar një 20-vjeçar pas zjarreve masive ditën e djeshme që përfshinë disa fshatra.
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në fshatin Drizë, Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin N. J., 20 vjeç, banues në Drizë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 05.07.2026, në tokën në pronësi të babait të tij, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe në fshatrat përreth, ku u shkaktuan dëme materiale.
Shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u rrezikuan nga përhapja e flakëve.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, u bë e mundur shuarja e flakëve, pa pasoja për jetën e qytetarëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




