Ndryshim kursi, Zelenskyy: Bisedimet për paqe me Rusinë janë të mundshme

Presidenti i Ukrainës u shpreh sot mbi mundësinë e bisedimeve të paqes me Rusinë. Ky është një ndryshim nga kursi i tij refuzues i mëparshëm për të negociuar me Presidentin Vladimir Putin. Mundësia për bisedime nga Zelenskyy erdhi në prag të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, të cilat konsiderohen si vendimtare.
Volodymyr Zelenskyy i kërkoi dje komunitetit ndërkombëtar që të “detyrojë Rusinë për bisedime reale për paqe” duke renditur kushtet e tij për dialog: kthimin e të gjitha tokave të okupuara të Ukrainës, kompensimin për dëmet e shkaktuar nga lufta, si dhe ndjekjet penale për krime lufte.
Deklarata e sotme përbën një ndryshim nga njeriu që nënshkroi një dekret në fund të shtatorit, ku deklarohej “pamundësia e zhvillimit të bisedimeve” me Putin.
Armët dhe ndihma perëndimore kanë qenë thelbësore për aftësinë e Ukrainës për t’u përballur me pushtimin rus, i cili fillimisht mendohej se do ta pushtonte vendin me lehtësi.
Por zgjedhjet afatmesme sot në SHBA, do të përcaktojnë sasinë dhe formën e mbështetjes së ardhshme politike dhe financiare të Uashingtonit për Ukrainën.
Nëse republikanët fitojnë kontrollin e Kongresit, mund të bëhet më e vështirë për administratën e Presidentit, Joe Biden, që të japë akoma paketa të mëdha ndihme ushtarake për Ukrainën. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



