Ndryshimet klimatike, studimi: Bora po zhduket, ndërsa planeti ngrohet

Botë | 3 vite më parë

Zona të gjera të SHBA-së janë goditur nga stuhi të fuqishme, ku dëbora ka mbuluar pjesë të Midwest dhe Verilindore. Por diçka nuk shkon, në shumë shtete të mësuara me dimrat e bardhë, tashmë po bie më shumë shi se borë.

Një studim i ri i botuar të mërkurën tregon se kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu ka reduktuar reshjet e borës në shumicën e pjesëve të hemisferës veriore në 40 vitet e fundit, duke kërcënuar burimet thelbësore ujore për miliona njerëz.

Mund të duket logjike që një botë më e ngrohtë do të ishte më pak mikpritëse ndaj borës, por marrëdhënia midis borës dhe ndryshimeve klimatike është komplekse dhe shkencëtarët kanë luftuar për shumë vite për të krijuar një lidhje të qartë midis të dyjave.

Një pjesë e problemit ka qenë se reshjet e borës janë jashtëzakonisht të vështira për t’u matur me saktësi dhe të dhënat shkencore nga vëzhgimet tokësore, kanë dhënë sinjale kontradiktore mbi rolin e ndryshimeve klimatike në uljen e reshjeve të borës.

“Është shumë e qartë se ndryshimi i klimës ka pasur ndikime negative në reshjet e dëborës. Çdo shkallë shtesë e ngrohjes do të heqë një pjesë gjithnjë e më të madhe të burimeve tuaja ujore të borës”, tha Alexander Gottlieb, autori kryesor i studimit.

Studiuesit zbuluan se humbja e grumbullimit të borës përshpejtohet kur temperaturat mesatare të dimrit në një vend ngrihen mbi minus 8 gradë Celsius. Pas kësaj, humbja e borës përshpejtohet.

Ky është një problem i madh për komunitetet që varen nga bora për ujë. Shumë nga furnizimet me ujë në botë tashmë janë të kërcënuara nga ndryshimet klimatike nëpërmjet thatësirës dhe valëve të të nxehtit që po bëhen më të shpeshta dhe intensive./ CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme