Në muajin shkurt rritet mumëri i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, më i larti që kur nisi pushtimi një vit më parë

Botë | 4 vite më parë

Ushtarët rusë po vdesin në numër më të lartë në Ukrainë këtë muaj, krahasuar me çdo muaj të mëparshëm, që nga java e parë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Të dhënat e ukrainasve tregojnë se 824 ushtarë rusë kanë vdekur çdo ditë gjatë muajit shkurt. Këto shifra u nënvizuan edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Shifrat nuk mund të verifikohen, por Britania e Madhe thotë se të dhënat e publikuara janë “me shumë mundësi të sakta”. Rritja vjen pasi zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka nisur një “ofensivë të madhe”.

Megjithatë, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës (NSDC), Oleksiy Danilov, tha gjithashtu se Rusia po përjeton “probleme të mëdha” me fushatën.

“Trupat tona po e zmbrapsin ofensivën e tyre në mënyrë shumë fuqishme”- tha zoti Danilov. 

“Ofensiva që ata planifikuan tashmë po ndodh, gradualisht, por nuk është ofensiva që ata kanë imagjinuar”- tha ai.

Javën e kaluar, ministri në largim i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, tha se ata po prisnin një ofensivë të re ruse rreth 24 shkurtit, që shënon përvjetorin e pushtimit në shkallë të plotë.

Disa nga luftimet më të ashpra kanë qenë rreth Bakhmutit në lindje të vendit. Të dielën, kreu i forcës mercenare ruse Wagner tha se grupi kishte kapur një vendbanim pranë qytetit të shkatërruar.

Yevgeny Prigozhin tha në Telegram: “Sot, vendbanimi i Krasna Hora u mor nga detashmentet e sulmit të PMC Wagner”.

Zoti Prigozhin i dha grupit të tij meritën për ofensivën ndaj Bakhmutit, duke minimizuar rolin e ushtrisë ruse: “Brenda një rrezeje prej 50 km, plus ose minus, ka vetëm luftëtarët Wagner PMC,”- shkroi ai.

Deklarata lë të kuptohet për tensione të gjata midis ushtrisë ruse dhe Wagner. Kur qyteti Soledar u pushtua në janar, z. Prigozhin pretendoi se luftëtarët e tij ishin në kontroll të plotë atje dhe u mburr se vetëm trupat e tij morën pjesë, një pretendim që ministria ruse e mbrojtjes e vuri në dyshim.

Rëndësia strategjike e Bakhmutit është vënë në pikëpyetje, por luftimet e zgjatura e kanë kthyer atë në një çmim simbolik. Sipas të dhënave të Ukrainës, të theksuara edhe nga Britania e Madhe, 824 humbje ruse në ditë është më shumë se katër herë se shkalla e raportuar në qershor dhe korrik, kur rreth 172 ushtarë rusë vdisnin çdo ditë.

Ushtria ukrainase pretendon 137,780 vdekje ushtarake ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje se rritja e fundit mund të jetë edhe për shkak të “një sërë faktorësh, duke përfshirë mungesën e personelit të trajnuar, koordinimin dhe burimet në të gjithë frontin”.

Ukraina “gjithashtu vazhdon të vuajë një shkallë të lartë të rëndimit të situatës”,- tha MB. Forcat ruse kanë bërë pak përparim në Ukrainë që nga tërheqja e tyre nga qyteti i madh jugor Kherson nëntorin e kaluar.

Muajin e kaluar ata pushtuan qytetin Soledar në veri të Bakhmutit pas një beteje intensive. Kapja e Bakhmutit mund t’u mundësojë forcave ruse të shtyjnë drejt qyteteve më të mëdha të Kramatorsk dhe Slovyansk.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të shpejtojnë dërgimin e armatimit të rëndë në Ukrainë për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë ofensivën e pritshme të Rusisë.

SHBA ka rënë dakord javën e kaluar për të dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin Ukrainës të dyfishonte rrezen e sulmit. BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme