Në Ukrainë arrestohen 5 zyrtarë të korruptuar, akuzohen se vodhën 40 mln dollarë për të blerë armatime

Botë | 3 vite më parë

Punonjësit e një firme ukrainase të armëve komplotuan me zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes për të përvetësuar pothuajse 40 milionë dollarë të destinuara për të blerë 100,000 predha mortajash për luftën me Rusinë, Kjo u bë e ditur nga shërbimi i sigurisë së Ukrainës.

SBU tha se për këtë vepër penale pesë persona janë akuzuar, bashkë me një person tjetër të arrestuar ndërsa përpiqej të kalonte kufirin ukrainas. 

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me 12 vjet burg. Hetimi vjen pasi Kievi po përpiqet të shtypë korrupsionin në një përpjekje për të përshpejtuar anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian dhe NATO. 

Zyrtarët nga të dy blloqet kanë kërkuar reforma të gjera kundër ryshfetit përpara se Kievi t’i bashkohet atyre.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u zgjodh në një platformë kundër korrupsionit në vitin 2019, shumë kohë përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Si presidenti ashtu edhe ndihmësit e tij kanë portretizuar shkarkimet e fundit të zyrtarëve të lartë, veçanërisht atë të Ivan Bakanov, ish- kreut të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, në korrik 2022, si dëshmi e përpjekjeve të tyre për të goditur ryshfetin.

Zyrtarët e sigurisë thonë se hetimi aktual daton në gusht 2022, kur zyrtarët nënshkruan një kontratë për predha artilerie me vlerë 1.5 miliardë hryvnia (39.6 milionë dollarë) me firmën e armëve Lviv Arsenal.

Pas marrjes së pagesës, punonjësit e kompanisë duhej t’i transferonin fondet në një biznes të regjistruar jashtë vendit, i cili më pas do t’i dorëzonte municionet në Ukrainë.

Megjithatë, mallrat nuk u dorëzuan kurrë dhe paratë u dërguan në llogari të ndryshme në Ukrainë dhe Ballkan, thanë hetuesit. Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës thotë se fondet janë sekuestruar dhe do të kthehen në buxhetin e mbrojtjes të vendit. AP

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme