Netanyahu kërkon identifikimin dhe ndjekjen penale të ushtarëve që dëshmuan në dokumentarin “Naza”

Botë | 41 minuta më parë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar identifikimin e ushtarëve dhe oficerëve që kanë dhënë dëshmi anonime në dokumentarin investigativ “NAZA”, si dhe nisjen e procedurave për ndjekjen e tyre penale.

Në një letër drejtuar prokurores së përgjithshme të Izraelit, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe drejtuesit të shërbimit të inteligjencës Shin Bet, Netanyahu kërkoi hetim urgjent ndaj personave të përfshirë në dokumentar, duke pretenduar se ata kanë dëmtuar interesat diplomatike dhe të sigurisë së vendit.

Kryeministri kërkoi që ndaj tyre të hetohen dyshimet për shkelje të rënda të sigurisë së informacionit, shpifje penale dhe dëmtim të interesave shtetërore.

Dokumentari “NAZA”, i realizuar nga regjisorët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor dhe prodhuar nga gazeta britanike “The Guardian”, trajton mënyrën se si ushtria izraelite zhvillon operacionet në Rripin e Gazës. Në film, 24 burime anonime, mes tyre ushtarë dhe zyrtarë të inteligjencës, rrëfejnë për përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në përzgjedhjen e objektivave ushtarake dhe rrezikun e vrasjes së civilëve.

Ushtria izraelite i ka kundërshtuar pretendimet e paraqitura në dokumentar, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe çorientuese. Autoritetet ushtarake kanë deklaruar se përzgjedhja dhe miratimi i objektivave kryhen nga personel njerëzor, në përputhje me udhëzimet e ushtrisë.

Dokumentari, i cili u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia muajin e kaluar, u vlerësua me çmimin special të jurisë dhe mori një ovacion të gjatë nga publiku. Pas publikimit, ai shkaktoi reagime të forta në Izrael, ndërsa regjisorët janë akuzuar nga përfaqësues të qeverisë për tradhti dhe janë përballur me kërcënime.

Sipas “The Guardian”, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, kishte kërkuar më herët shqyrtimin e mundësisë së masave ligjore ndaj ushtarëve të intervistuar. Megjithatë, avokati i përgjithshëm ushtarak ka theksuar se ndjekja penale do të kërkonte prova për shkelje të sigurisë ose për zbulimin e informacionit të klasifikuar.

Rasti ka ngritur gjithashtu shqetësime për lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske. Federata Evropiane e Gazetarëve dhe përfaqësues të “The Guardian” kanë kritikuar presionin ndaj gazetarëve dhe personave që kanë dhënë dëshmi, duke theksuar rëndësinë e raportimit për çështje me interes publik.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme