Nis procedura për ekstradimin e Ermal Beqirit nga Franca në Shqipëri, Ministria e Drejtësisë i përcjell dokumentacionin autoriteteve franceze

Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Lajmin e konfirmon për RTSH gazetarja Flutura Tota duke iu referuar burimeve zyrtare. Procedura nis pas kërkesës që SPAK i bëri Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar me procesin e ekstradimit.
Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik 2026, pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar pranë centralit bërthamor të Penly-t. Ai u detyrua të ulej nga autoritetet franceze dhe gjatë verifikimeve, rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar me “Njoftim të Kuq” të Interpolit, me kërkesë të Shqipërisë.
Sipas SPAK, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të një hetimi për vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme me dhunë, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera publikë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Në bashkëpunim me autoritetet franceze, SPAK ka identifikuar pasuri të dyshuara me origjinë kriminale në Francë. Hetimet kanë zbuluar llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe automjete luksoze. Për këto asete është kërkuar sekuestrimi përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Gjykata franceze ka vendosur vazhdimin e paraburgimit të Beqirit deri në përfundim të procedurave të ekstradimit. Gjatë operacionit janë kryer edhe kontrolle në pronat e tij në Francë, ku janë sekuestruar materiale që konsiderohen të rëndësishme për hetimin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




