‘Nuk përfundoi mirë’, publikohen detaje nga libri i Pence: Trump rrezikoi jetën e familjes sime!

Ish-zëvendëspresidenti, Mike Pence, në librin me kujtime të publikuar sot, ka fajësuar Donald Trump, se ka rrezikuar familjen e tij “dhe gjithë ata që punonin në Kapitol”, më 6 janar.
Në librin me titull “So Help Me God”, Pence rrëfen për herë të parë, përpjekjet e jashtëzakonshme të ish-presidentit republikan për ta shtyrë atë të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, si dhe tregon për ditën kur mijëra protestues sulmuan Kapitolin.
“Ata kishin ardhur për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe për të penguar Kongresin që të përmbushte përgjegjësinë e tij, për të hapur dhe numëruar votat e Kolegjit Zgjedhor”,- shkruan Pence- duke shtuar se “siç mësova më vonë, shumë protestues kishin ardhur të kërkonin kokën time.”
Pence, i cili kaloi ditë duke refuzuar të kritikonte publikisht shefin e tij të vjetër, bën të qartë se 6 janari 2021 ishte një pikë thyerje për të cilën ai shkruan, “fjalët e pamatura të Trump rrezikuan familjen time dhe të gjithë ata që shërbenin në Kapitol”.
“Për katër vite kemi pasur një marrëdhënie të ngushtë pune. Por nuk përfundoi mirë”,- shkruan Pence, duke përmbledhur periudhën në Shtëpinë e Bardhë.
Libri i botuar nga Simon & Schuster, vjen në momentin që Pence, me shumë gjasa, do të kandidojë për president në vitin 2024, një lëvizje kjo që do ta vendoste atë në konflikt të drejtpërdrejtë me Trump, i cili pritet të nisë zyrtarisht fushatën e tij të rizgjedhjes në Florida.
Pence, i cili në libër nuk deklaron drejtpërdrejt se demokrati Joe Biden fitoi me drejtësi, shkruan se kur Trump sugjeroi për herë të parë mbajtjen e një mitingu në Uashington më 6 janar, ditën kur Pence u caktua të kryesonte certifikimin e zgjedhjeve, mendoi se ishte një ide e mirë.
“Mendimi im i parë ishte se një tubim atë ditë mund të ishte i dobishëm, si një mënyrë për të tërhequr edhe më shumë vëmendjen ndaj procedurave në Kongres dhe Senat,”- shkruan ai.
Pence përshkruan uljen në dhomën e Senatit dhe kryesimin e certifikimit, kur parlamentari i Senatit u përkul për ta informuar atë se protestuesit kishin hyrë në ndërtesë dhe një anëtar i Shërbimit Sekret këmbënguli që të largohej.
Pence refuzoi të lirojë ndërtesën. Ai u dërgua në dhomën e sigurisë së Senatit, ku kaloi orë të tëra, i rrethuar nga stafi dhe anëtarët e familjes, duke u bërë thirrje udhëheqësve ushtarakë dhe atyre të kongresit që të koordinonin veprimet e qeverisë, ndërsa presidenti, i cili nuk bëri asgjë për sigurinë e Pence, u ul duke parë TV.
Pence këmbëngul se “nuk kishte pasur frikë”, por ishte i zemëruar me atë që po ndodhte.
Në orën 14:24, ndërsa Pence ndodhej në strehim, Trump lëshoi postimin famëkeq në Twitter, ku shkruante se Pence “nuk kishte guximin të bënte atë që duhej të kishte bërë për të mbrojtur vendin dhe Kushtetutën”.
“E vërteta ishte, sado i pamatur të ishte postimi i presidentit në Twitter, në të vërtetë nuk kisha kohë për të. Rebelët po plaçkisnin Kapitolin. Presidenti kishte vendosur të ishte pjesë e problemit. Isha i vendosur të isha pjesë e zgjidhjes. E injorova postimin në Twitter dhe u ktheva në punë.”- shkruan ai.
Pence përshkruan edhe fushatën e Trump, duke i bërë presion që të refuzonte rezultatet e zgjedhjeve, duke refuzuar votat e Kolegjit Zgjedhor ose duke i kthyer ato në shtete, edhe pse Kushtetuta e bën të qartë se roli i zëvendëspresidentit është thjeshtë ceremonial.
Më 16 nëntor 2020, Pence i tha Trump se “nëse ai nuk ishte i gatshëm të pranonte sfidat ligjore, thjeshtë duhej të pranonte rezultatet e zgjedhjeve dhe të ecte përpara me tranzicionin”.
Pence shkruan se humori i Trump pësoi rënie dhe se u bë gjithnjë e më i inatosur.
“Me kalimin e ditëve, po bëhej e qartë se do të kishte një kosto reale për mua politikisht kur të kryesoja certifikimin e zgjedhjeve të 2020,”- shkruan Pence.
“Gjithmonë e kam ditur se nuk kisha autoritetin për të përmbysur zgjedhjet. E dija se do të ishte e dëmshme për mikun tim që të merrja pjesë në certifikim. Por detyra ime ishte e qartë.”
Pasi Kapitoli u pastrua nga trazirat, Kongresi u mblodh përsëri dhe Pence kryesoi certifikimin e humbjes së tij dhe të Trump. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



