Papa Françesku vizitë 3-ditore në Hungari

Papa Françesku ndodhet në Hungari për një vizitë tre ditore, që me shumë gjasa do të përqëndrohet tek lufta e Rusisë ndaj Ukrainës. Vizita e Papës, është e para që ai zhvillon jashtë Vatikanit qëkur u shtrua në spital në muajin mars.
Të dielën, ai pritet të drejtojë një meshë të hapur që do të mbahet para Parlamentit. Ati i shenjtë ka pranuar se çështjet që do të trajtojë gjatë vizitës në Hungari do të ndikohen nga çështjet aktuale, edhe pse qëllimi kryesor i tij është të takojë katolikët e Hungarisë si dhe kryeministrin Viktor Orban.
Ky i fundit është shprehur se Hungaria dhe Vatikani janë dy vendet e vetme europine që mund të përshkruhet si pro paqes, përsa i përket Ukrainës.
Të dy kanë bërë thirrje për armëpushim dhe për negociata për t’i dhënë fund luftës. Papa Françesku ndërkohë i ka kërkuar Ukrainës që të jetë e hapur për dialog me agresorin e saj, Rusinë.
Hungaria, e cila mbështet një Ukrainë sovrane, por edhe ka lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë, nuk ka pranuar të dërgojë armë në Ukrainë. Papa ndërkohë është shprehur se dërgimi i armëve në Ukrainë është moralisht i pranueshëm nëse përdoren vetëm për vetëmbrojtje.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




