Paris, hapet gjyqi për krime kundër njerëzimit në Liberi

Një ish-rebel liberian doli në gjyq sot në Paris, me akuzat për krime kundër njerëzimit, tortura dhe akte barbarie gjatë luftës civile të vendit të Afrikës Perëndimore në vitet 1990.
Kunti Kamara, 47 vjeç, akuzohet për “bashkëpunëtim në tortura masive dhe sistematike dhe akte çnjerëzore” kundër civilëve në qarkun Lofa të Liberisë në vitet 1993-1994, si një nga drejtuesit e grupit të armatosur Ulimo. Në atë periudhë, ai ishte më pak se 20 vjeç.
Kamara, i cili përballet me burgim të përjetshëm, mohoi të ketë kryer vepra të tilla. “Unë jam i pafajshëm,”- tha Kamara në gjykatë, duke shtuar se ai nuk njeh asnjë nga dëshmitarët që e akuzojnë.
Kamara u arrestua pranë Parisit në vitin 2018, pas një ankese të paraqitur nga grupi me qendër në Zvicër Civitas Maxima, i specializuar në ndihmën e viktimave të krimeve kundër njerëzimit.
Gjatë hetimit, ai pranoi se ishte komandant i fushëbetejës, duke udhëhequr rreth 80 ushtarë gjatë luftës civile, një zgjedhje që ai tha se e bëri për të mbrojtur veten kundër fraksionit rival të Charles Taylor.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ai akuzohet se ka goditur një burrë dhe më pas ka hapur gjoksin e tij me sëpatë për t’i nxjerrë dhe ngrënë zemrën.
Ai akuzohet se ka lejuar dhe nxitur, në pozicionin e tij të autoritetit, përdhunime dhe tortura seksuale, dhe se ka detyruar njerëzit me punë të detyruar në kushte çnjerëzore.
Gjyqi nga gjykata penale e Parisit është bërë i mundur sipas një ligji francez, që njeh juridiksion universal për krimet kundër njerëzimit dhe aktet e torturës.
Kamara tha se u largua nga Liberia pas përfundimit të luftës së parë civile në 1997 dhe më vonë shkoi në Holandë, më pas në Belgjikë, përpara se të vinte në Francë, rreth dy vjet para se të arrestohej. Grupet e të drejtave e përshëndetën gjyqin si një hap të rëndësishëm për të sjellë drejtësi për viktimat. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



