Parku arkeologjik i Antigonesë, një nga destinacionet më të frekuentuara në jug të Shqipërisë
Parku Arkeologjik i Antigones, një nga sitet më të rëndësishme historike në jug të Shqipërisë, po mirëpret gjatë kësaj periudhe një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj. Natyra përreth dhe historia e pasur po e kthejnë Antigonen në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët.
“Parku i Antigonës është një vend mahnitës, ku historia dhe natyra bashkohen në mënyrë perfekte. Nuk e prisja të gjeja diçka kaq të bukur dhe të ruajtur në këtë zonë”, tha një turist.
“Ky është një nga vendet më interesante që kemi vizituar në Shqipëri. Rrënojat flasin vetë dhe ndihesh sikur kthehesh në kohë”, u shpreh një turiste tjetër.
Vizitorët shprehen të mahnitur nga trashëgimia kulturore që ofron ky park. Ata e cilësojnë Antigonen si një nga destinacionet më të veçanta që kanë vizituar në Shqipëri. Ndër elementët që tërheqin më shumë janë rrënojat antike, dhe panorama që ofron lartësia e qytetit të lashtë.
“Gjithçka është shumë e qetë dhe autentike. Pamjet janë të mrekullueshme dhe na pëlqeu shumë fakti që nuk është i mbipopulluar”, tha një turiste.
Shumë prej turistëve që vizitojnë Parkun Arkeologjik të Antigonës zgjedhin të qëndrojnë në fshatrat përreth apo në qytetin e Gjirokastrës, duke kontribuar në ekonominë lokale përmes përdorimit të shërbimeve akomoduese dhe ushqimore. Rritja e interesit për këtë destinacion po i jep një impuls pozitiv zhvillimit të turizmit kulturor në jug të vendit.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





