Parku Kombëtar i Butrintit – Mozaikët e Termës Romake dhe  Gjimnazit, interes për turistët

Aktualitet | 1 vit më parë

Qyteti antik i Butrintit mbetet ndër destinacionet më të kërkuara të sezonit turistik, duke tërhequr çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota. Fundjavat janë veçanërisht të ngarkuara dhe kjo duket qartë në radhët pranë biletarisë elektronike të sitit.

Udhërrëfyesi turistik Viktor Avdia thotë se fluksi i vizitorëve është në të njëjtat nivele të larta me një vit më parë, ndërsa për Klaudia Brodën, polaken që prej 8 vitesh udhëheq grupet turistike nga vendi i saj, Butrinti është gjithnjë një emocion më vete.

“…është në kulmin e sezonit, vazhdojnë të dominojnë polakët. Edhe pse ka qenë pak nxehtë, vijojnë të vazhdojnë grupet, sidomos në mëngjes dhe pasdite”, shprehet Avdia.

“Butrinti është një nga destinacionet më të pëlqyera nga turistët e mi. Largohen me përshtypjet më të mira. I mahnit historia, bukuritë natyrore dhe qetësia që të ofron ky vend”, tha Broda.  

Gjoni, një pushues nga Shkodra që jeton në Itali, ka udhëtuar me familjen për të vizituar Butrintin, të cilin e cilëson si një nga pikat më të rëndësishme kulturore që çdo shqiptar duhet ta njohë.

Një tjetër pikë interesante gjatë vizitës është tregu i suvenireve, ku Gjela, një zejtare nga Shëndëlli, ofron produkte të punuara me dorë prej 20 vitesh. Ndërkohë, artizani Agur Kapo sjell punime të veçanta nga guaska dhe guri, që tërheqin vëmendjen e turistëve.

Atraksione si Teatri Antik, Banjat termale, Pusi i Nuseve, Porta e Liqenit e ajo e Luanit, vijojnë të zgjojnë kuriozitetin e vizitorëve. Risi e këtij korriku janë mozaikët e hapur për herë të parë, të cilët kanë shtuar më shumë interes për vizitën në sitin e lashtë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme