Parku natyror “Syri i Kaltër” tërheq turistët – Bizneset lokale ofrojnë shërbime të gjera për vizitorët
Parku Natyror “Syri i Kaltër” vazhdon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të huaj, falë bukurive të jashtëzakonshme natyrore dhe ujërave të kristaltë që e bëjnë këtë vend një destinacion unik turistik. Çdo vit, turma vizitorësh vijnë për të shijuar peizazhet e paprekura, për të bërë foto dhe për të kaluar kohë në natyrë, duke e kthyer Syrin e Kaltër në një prej atraksioneve më të preferuara të jugut të Shqipërisë. Për turistët, kjo vizitë nuk është vetëm një eksperiencë e bukur vizuale, por edhe një mundësi për të njohur ambientin natyror dhe biodiversitetin e zonës.
“Jemi të mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Ujërat e kristaltë dhe peizazhet e paprekura natyrore na kanë lënë pa fjalë. Atmosfera këtu është shumë qetësuese, dhe çdo moment që kalojmë në park është një eksperiencë unike. Sigurisht që kur të rikthehemi në Shqipëri do të sjellim edhe miqtë tanë për ta parë nga afër këtë vend magjepsës”, u shpreh një turist.
“Vizita jonë në Syrin e Kaltër ka qenë një përvojë e paharrueshme. Përveç bukurive natyrore, na ka impresionuar mikpritja e banorëve dhe organizimi i shërbimeve për vizitorët. Ndjejmë se çdo gjë është e menduar për t’i bërë turistët të ndihen komod dhe të shijojnë çdo moment në këtë park”, tha një tjetër.
Ecuria pozitive e turizmit në këtë zonë reflektohet edhe te bizneset lokale, të cilat tashmë ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh për vizitorët, duke filluar nga gatimet tradicionale deri tek akomodimi i tyre.
“Çdo vit ka pasur rritje të vizitorëve”, tha Erjon Skreli, Administrator
Ky zhvillim i turizmit jo vetëm që fuqizon ekonominë lokale, por edhe promovon bukuritë natyrore të zonës, duke e bërë Syrin e Kaltër një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Gazetare B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





