Parqet arkeologjike të preferuara të sezonit, “Rozafa” e Shkodrës dhe Kalaja e Lezhës, shënojnë rritje rekord të vizitorëve
Edhe përgjatë sezoni turistik të ketij viti, parqet arkeologjike të Shkodrës dhe Lezhës konfirmohen si ndër destinacionet më të preferuara në veriun e Shqipërisë. Kalaja e Rozafës në Shkodër, një pike referimi për turizmin gjithëvjetor, ka pritur nga janari deri në mesin e muajit shtator mbi 160 mijë vizitorë, shifër më e lartë kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka dëshmon për rritje të interesit ndaj turizmit historik dhe kulturor.
“Në parkun arkeologjik të Shkodrës, numri i vizitorëve tashmë e ka kaluar 160.000, ose, përkthyer në përqindje, 9% më shumë se sezoni turistik i vitit 2025, çka na bën edhe ne optimistë që ky trend rritës të vazhdojë edhe gjatë muajit tetor, duke qenë se sezoni turistik tashmë është zgjatur deri në tetor, por edhe trendi i rritjes të vazhdojë edhe gjatë periudhës së nëntorit dhe dhjetorit. Pra, flasim për një sezon të suksesshëm turistik, me turistë që vijnë kryesisht nga Europa Perëndimore, por edhe përtej Oqeanit, apo edhe kryesisht nga pjesa mesdhetare, me grupe izraelite më shumë këtë vit”, tha Helidon Sokoli, Drejtor i DRTK , Zona Veriore.
Rritje të numrit të vizitorëve këtë sezon ka shënuar edhe Kalaja e Lezhës. Pavarësisht sfidave që paraqet infrastruktura rrugore lidhëse, ky monument historik mbetet një shtyllë e rëndësishme e turizmit kulturor në rajon.
“Në parkun arkeologjik të Lezhës, pavarësisht se ka një numër më të reduktuar turistësh, kjo për shkak edhe të një problematike që ka parku arkeologjik i Lezhës me aksesin e mjeteve të mëdha të grupeve turistike, por ka një rritje rreth 4% më shumë se viti i kaluar”, tha ai.
Për të përballuar fluksin në rritje dhe për përmirësimin e standarteve të shërbimit, parqet arkeologjike në veri janë në fokusin e disa projekteve zhvillimore. Aktualisht në Kalanë Rozafa po zbatohet një projekt rijetëzimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili synon modernizimin e infrastrukturës, ruajtjen e vlerave monumentale dhe përmirësimin e përvojës për të gjithë vizitorët.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



