PE voton rezolutën: BE të përshpejtojë zgjerimin për Ballkanin! Hetimi për Oliver Varhelyin, nënvlerëson sulmet ndaj demokracisë

Botë | 4 vite më parë

Parlamenti Europian ka votuar një rezolutë ku kërkohet që BE të përshpejtojë procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, por edhe të nis një hetim për Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ku sipas rezolutës ai “po përpiqet qëllimisht të anashkalojë dhe minojë rolin e reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që duan të anëtarësohen në BE”.

Sipas rezolutës, edhe pse nuk e përmend me emër Varhelyin, kërkohet që ndaj tij të nis një hetim i pavarur dhe i paanshëm nëse “veprimet dhe politikat e mbrojtura nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin përbëjnë shkelje të Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian dhe detyrimeve të tij. ”

“Parlamenti Evropian mbetet thellësisht i shqetësuar për raportet se Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, me qëllim bën përpjekje që të anashkalohet dhe ulet rëndësia qendrore e reformave demokratike dhe sundimi i ligjit në vendet që janë në proces të anëtarësimit”, thuhet në rezolutë.  

Pjesë e rezolutës për zbatimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së ishte edhe përshpejtimi i zgjerimit të unionit me vendet e rajonit të Ballkanit, ndërsa i kërkon Serbisë si një vend që përpiqet të bëhet anëtare e BE-së, “t’u përmbahet vlerave dhe të drejtave të përbashkëta të BE-së dhe të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të unionit”.

Në lidhje me Bosnje-Hercegovinën, rezoluta bën thirrje për “sanksionet kundër aktorëve destabilizues në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë ata që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, veçanërisht Milorad Dodik” duke u bërë thirrje shteteve anëtare të votojnë pro këtyre sanksioneve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme