Performanca e dobët e Biden përballë Trump, panik te demokratët

Botë | 2 vite më parë

Aleatët e Joe Biden donin që ai të demonstronte forcë dhe energji në skenën e debatit për të ndihmuar në zgjidhjen e pyetjeve në lidhje me mprehtësinë fizike dhe mendore të 81-vjeçarit demokrat.

Por në skenën më të madhe në politikën amerikane të enjten mbrëma, Biden nuk i përmbushi pritjet e tyre modeste.

Dhe në fund të debatit 90-minutësh, aleatët e presidentit demokrat – strategët e partisë dhe votuesit e radhës – u zhytën në panik të plotë pas një debati të shoqëruar nga pengesa të përsëritura, pauza të pakëndshme dhe një stil i qetë të foluri, që shpesh ishte e vështirë për t’u kuptuar.

Publikisht dhe privatisht, demokratët vunë në dyshim nëse partia mund ose duhet ta zëvendësojë atë si kandidatin presidencial të partisë kundër ish-presidentit republikan 78-vjeçar Donald Trump këtë vjeshtë.

“Nuk jam i vetmi që po i thyhet zemra tani. Ka shumë njerëz që e panë këtë sonte dhe u ndjenë tmerrësisht të zhgënjyer me Joe Biden”, tha ish-senatorja demokrate Claire McCaskill në MSNBC. “Nuk e di nëse mund të bëhen gjëra për ta rregulluar këtë.”

Për momentin, pyetja kryesore për zotin Biden është nëse dëmi është i përhershëm. Por shumë votues ende nuk e kanë përqendruar krejtësisht vëmendjen tek votimet e nëntorit. Presidenti Biden dhe aleatët e tij kanë miliona dollarë që ende nuk i kanë përdorur për reklama dhe fushatë intensive në shtetet e pavendosura.

Por ka raste kur një kandidat e ka rikuperuar fushatën pas një paraqitje të dobët në debatin me rivalin. I tillë ishte dhe rasti i debatit të Presidentit Barack Obama në vitin 2012 me kandidatin republikan, Mitt Romney. Senatori demokrat John Fetterman mundi rivalin republikan në vitin 2022 pas një debati të vështirë, ndërsa zoti Fetterman kishte kaluar një goditje në tru.

Kumari i Bidenit

Fushata e rizgjedhjes së Bidenit në vitin 2024 bazohej gjithmonë në një bast që votuesit në fund të fundit do të mbështesnin një politikan 81-vjeçar të përjetshëm me vlerësime të dobëta miratimi në një revansh që pak amerikanë e duan. Pavarësisht nga detyrimet e tilla, ekipi i Biden këmbënguli se ai ishte i pozicionuar në mënyrë unike për të ndaluar kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë – ashtu siç bëri katër vjet më parë.

Prej kohësh ata kanë parashikuar se mbështetja për Presidentin Biden do të rritej ndërsa fushata demokrate të theksonte mjaftueshëm udhëheqjen kaotike të zotit Trump. Por pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin presidencial, shenjat janë të pakta se ekziston një besim i tillë.

“Ishte një fillim i ngadaltë. Kjo është e qartë për të gjithë. Unë nuk do të debatoj për këtë pikë”, tha Zëvendëspresidentja Kamala Harris në një intervistë për rrjetin CNN pas debatit. “Por ajo që ka rëndësi është alternativa në nëntor, këto janë një nga zgjedhjet më të rëndësishme të jetës tonë”.

Mbështetësit e Presidentit Biden u përpoqën të shmangnin komentet pas debatit në Atlanta kur u pyetën nga gazetarët. Ata vunë në dukje një listë të gjatë pohimesh të rreme nga zoti Trump gjatë debatit. Gjatë debatit, zoti Trump nuk doli kundër atyre që shkaktuan trazira në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, një kandidat i mundshëm për president në të ardhmen dhe mbështetësi kryesor në debatin në Atlanta, u bëri thirrje demokratëve që të mos i zërë paniku.

“Unë mendoj se është e padobishme dhe e panevojshme. Duhet ta mbajmë kokën lart”, tha zoti Neësom në një intervistë për rrjetin MSNBC. “Ne duhet ta mbështesim këtë president. Ne nuk dorëzoheni për shkak të një debati. Kush e bën këtë?”

Megjithatë, shenjat e ankthit ishin të dukshme mes demokratëve, ndërsa disa prej tyre kanë dalë hapur me idenë për të gjetur një alternativë tjetër për zgjedhjet e nëntorit.

“Kjo ishte performanca më e keqe në historinë e debateve presidenciale televizive,” tha Tim Miller, një ish-strateg republikan, i kthyer në mbështetës të flaktë të Bidenit, duke tundur kokën me mosbesim. AP

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme