Përmeti, destinacioni i turistëve – Edhe vjeshta ka regjistruar numër të lartë prenotimesh

Aktualitet | 1 vit më parë

Përmeti po kthehet në një nga destinacionet më të preferuara turistike në jug të Shqipërisë, duke ofruar një gamë të gjerë mundësish për turizëm historik, kulturor, natyror dhe gastronomik. Interesi i turistëve, vendas dhe të huaj, është në rritje të vazhdueshme.

“Interesi i turistëve për Përmetin ka qenë i lartë. Kemi pasur, këto 2-3 vitet e fundit, kryesisht turizëm outdoor. Kjo lidhet dhe ndërthuret me natyrën e bukur që ka Përmeti, sidomos rafting, ujërat termale, ecjet në male. Kohët e fundit ka filluar edhe ecja me biçikleta. Po ashtu edhe për të njohur Luginën e lumit Vjosë, e cila tashmë është shpallur Park Kombëtar,” thotë Julian Elezi, operator turizmi.

Sipas Elezit, një prej operatorëve të turizmit në zonë, këtë vit është vërejtur një rritje prej 20% e numrit të turistëve në krahasim me një vit më parë.

“Kemi një rritje deri në 20 për qind, statistikat e sakta do t’i publikojmë në fund të vitit. Mendoj që janë turistë të ndërgjegjshëm për një turizëm cilësor. Turistët e huaj janë ata më të shumtët, kemi rritje të francezëve dhe italianëve, por edhe të spanjollëve. Nuk mund të përjashtohen as turistët e tjerë, sidomos ata europianë. Besoj se 70 për qind e turistëve që vijnë në Përmet janë europianë”, thotë operatori i turizmit.

Përmeti dhe rrethinat e tij ofrojnë një përzierje unike të bukurive natyrore si kanionet, burimet termale, mali i Nëmërçkës, si dhe tradita të pasura kulturore dhe kulinarinë karakteristike të zonës.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme