Përplasi 4 mjete teksa tentoi t’i shpëtojë policisë, arrestohet 30-vjeçari që vodhi makinën dhe rrezikoi jetën e qytetarëve në Durrës

Një 30-vjeçar u arrestua mbrëmjen e djeshme nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, pasi kishte vjedhur një automjet dhe, për t’i shpëtuar ndjekjes, goditi 4 mjete të tjera, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të policisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në rrugën “Pavarësia”, ku patrulla konstatoi një automjet pa targa dhe me xhama të zinj që kryente manovra të rrezikshme.
Sapo pa prezencën e policisë, drejtuesi i mjetit shtoi shpejtësinë dhe tentoi t’u largohej shërbimeve, duke mos iu bindur urdhrit të ndalimit.
Në ikje e sipër, ai aksidentoi 4 automjete, rrezikoi jetën e qytetarëve dhe punonjësve të policisë, më pas braktisi mjetin dhe tentoi të largohej me vrap. Shërbimet e policisë e neutralizuan dhe e vunë në pranga menjëherë.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se i ndaluari, shtetasi M. K., 30 vjeç, ishte shpallur më parë në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi një ditë më parë kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i shpëtonte policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, 30-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




