Pezullimi i fondeve ndaj UNRWA-s, Mahmoud Abbas apel ndaj Perëndimit: Rishqyrtoni vendimin tuaj

Presidenti i Autoritetit Palestinez u ka kërkuar vendeve që kanë ndërprerë fondet për agjencinë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara në Gaza të rishqyrtojnë vendimin e tyre.
Dhjetë vende perëndimore kanë pezulluar tani fondet e tyre për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) pasi u ngritën akuza se disa nga anëtarët e stafit të saj ishin të përfshirë në sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit.
“Pozicione të tilla, nëse mbahen, do të ndëshkonin në mënyrë disproporcionale miliona njerëz tanë pa arsye” tha presidenti i AP Mahmoud Abbas në një deklaratë për mediat, sipas WAFA-s, agjencia zyrtare e lajmeve palestineze.
Ai akuzoi Izraelin se qëndron pas fushatës kundër agjencisë së OKB-së.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm Israel Katz tha se qeveria izraelite do të kërkojë të ndalojë agjencinë e OKB-së të veprojë në Gazën e pasluftës.
Kryeministri i AP Mohammad Shtayyeh u shpreh sot se shpreson që vendimet “jashtëzakonisht të rrezikshme për pezullimin e financimit do të zhbëhen”.
Ai tha se vendimi për të pezulluar ndihmën “vjen në momentin më të vështirë, në një kohë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka bërë thirrje për furnizim të menjëhershëm dhe rritje të furnizimeve të ndihmës ndërkombëtare në Gaza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




