Plazhet e Sarandës, fundjava e parë e gushtit sjell numër të shtuar pushuesish

Aktualitet | 1 vit më parë

Kjo fundjavë e parë e muajit gusht i ka dhënë një tjetër ritëm Sarandës, që prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës është mbushur nga turistë të ardhur nga brenda dhe jashtë vendit.

Shëtitorja kryesore gumëzhin nga lëvizjet e pandërprera, njerëz që kryqëzohen në drejtime të ndryshme, disa sapo nisur ditën, të tjerë në kërkim të vendit të preferuar në plazh, e të tjerë që i drejtohen stacioneve të transportit për të vijuar drejt Ksamilit apo Butrintit.

Takimi ynë i parë ishte me një grup turistësh francezë, që sapo kishin zënë vend për mëngjes. Me humor e relaks. Ata e nisën ditën e tyre të pushimit buzë Jonit.

“Për momentin po e shijojmë vendin këtu. Është mjaft i bukur. Na kanë pëlqyer shumë plazhet rreth Sarandës dhe Ksamilit. Edhe aktivitetet me varkë janë fantastike,” shprehet një turist francez.

Më tej, takojmë Dianën nga Ukraina, e cila ndryshe nga shumica e pushuesve ndodhet në Sarandë për të punuar. Ajo realizon foto rrugësh në orët e mbrëmjes, por thotë se dhe mes punës ndien energjinë pozitive të këtij qyteti bregdetar.

“Çdo sezon veror vij në Sarandë për të punuar, pasi pasioni im është fotografia. Jam pjesë e një projekti të quajtur ‘Street Photos’ në Sarandë. Me aparatin tim fiksoj çdo gjë interesante në rrugë,” thotë Diana.

Të shumtë janë ata që shprehin kënaqësinë që u jep Saranda, deti, mikpritja, ushqimi, por nuk mungojnë edhe sugjerimet për përmirësime.

“Mund të ishte edhe pak më pastër, por kjo s’është përgjegjësi e Bashkisë, ndoshta, e plazhistëve që nuk janë fort të rregullt për t’i hedhur mbeturinat në vendin e caktuar,” thotë një pushues vendas.

Ndërsa një pjesë nxiton për të kapur autobusin e linjës së Ksamilit, të tjerë kanë zënë vend në plazhet publike e disa po përgatiten për një ditë ndryshe plot aventura për të shijuar lundrimin me skafe të shpejta që nisen nga Limani.

“Ne bëjmë një tur njëorësh brenda gjirit të Sarandës. Anija italiane e mbytur është e veçanta e kësaj. Destinacioni i dytë dhe i tretë shikon faunën. Anija i afrohet 60 cm fundit të detit… gjithë gjallesat, jeta nënujore, korali i bardhë,” thotë një operator turistik.

Kjo është Saranda në gusht: një qytet që nuk fle, i mbushur me jetë, me emocione dhe me dëshirën për të pushuar bukur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme