Po ndërtohej pa leje, shembet objekti në Qeparo, ja momenti kur IKMT e hedh në tokë
Një objekt i ndërtuar pa leje në zonën e Qeparoit, pjesë e Bashkisë Himarë, është shembur gjatë ditës së sotme nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT).
Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, me një kat nëntokë, me konstruksion beton-arme, e cila sipas IKMT-së ishte ndërtuar në kushtet e flagrancës, pa lejen përkatëse.
Gjatë verifikimit të rastit, autoritetet kanë konstatuar se subjekti pretendonte se kishte ndërtuar më herët një objekt 1-katësh, me një kat nëntokë, për të cilin kishte aplikuar për leje legalizimi pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Megjithatë, sipas IKMT-së, në ditët e fundit kishte vijuar ndërhyrja në objekt, duke shtuar edhe tre kate të tjera, me punime betonimi.
Ndërhyrja e IKMT-së ka sjellë shembjen e objektit, ndërsa të gjitha materialet e evidentuara gjatë kontrollit do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Në fokus të hetimit nuk do të jetë vetëm subjekti që ka kryer ndërtimin, por edhe mënyra se si është lejuar që punimet të vijonin.
IKMT bën të ditur se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Për realizimin e ndërhyrjes dhe prishjen e objektit, IKMT ka falënderuar edhe Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë operacionit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







