Pranvera në Sarandë, qyteti bregdetar, destinacion i preferuar nga turistët

Aktualitet | 7 muaj më parë

Qyteti bregdetar i Sarandës po mirëpret këto ditët e para të pranverës  turistë të shumtë vendas dhe të huaj. Temperaturat e buta dhe moti me diell kanë bërë që shumë vizitorë të zgjedhin jugun e vendit për të kaluar disa ditë pushimi dhe për të shijuar bukuritë e qytetit bregdetar.

“Zgjodhëm te vizitojmë Sarandën nga fotografitë që kemi parë. Është hera jonë e parë këtu , vijmë nga Gjermania. Më shumë jemi të interesuar për të parë investimet që po bëhen në këtë qytet dhe në jug të vendit në përgjithësi”, shprehet turisti.

“Po e shijojmë shumë qëndrimin këtu, mendojmë se kemi bërë mirë që e zgjodhëm Sarandën. Qytet i bukur me njerëz shumë mikpritës , në verë do i bëjmë pushimet këtu”, vlerëson turistja.

Turistët që kanë zgjedhur të vizitojnë Sarandën shprehen të impresionuar nga natyra, klima e ngrohtë dhe mikpritja që gjejnë në këtë qytet. Shëtitorja buzë detit është ndër vendet më të frekuentuara nga vizitorët gjatë këtyre ditëve pranverore.

“Është hera jonë e parë në Shqipëri. Jam befasuar nga klima dhe bukuria e Sarandës. Është perfekte për pushime pranverore. Shëtitorja buzë detit dhe atmosfera e qetë e qytetit e bëjnë vizitën shumë relaksuese”, shprehet një tjetër turist.

Vizitorët tregojnë se Saranda mbetet një destinacion i preferuar jo vetëm gjatë verës, por edhe në stinën e pranverës, kur qyteti ofron qetësi dhe mundësi për të eksploruar zonën përreth.

Gazetare: B.Pëllumbi 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme