Presidenti Zelensky vizitë zyrtare në Poloni, do takohet me homologun Andrzej Duda

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë sot Poloninë. Lajmi u bë me dije të hënën (3 prill) nga këshilltari i Presidentit polak për punët e jashtme, Marcin Przydacz, i cili ka sqaruar se vizita e Zelenskyt në Poloni vjen me ftesë të Presidentit.
Zelensky dhe homologu i tij, Andrzej Duda pritet të zhvillojnë bisedime të gjata, jo vetëm për luftën në Ukrainë dhe situatën e sigurisë, por edhe për mbështetjen ekonomike e politike.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite, Zelensky pritet që të takohet me polakët dhe ukrainasit që janë strehuar në Poloni në sheshin e Kalasë së Varshavës.
“Do të jetë një vizitë zyrtare. Vizita bëhet me ftesë të Presidentit (Andrzej) Duda. Do të ketë bisedime të gjata dhe të gjera, jo vetëm për situatën e sigurisë, por edhe për mbështetjen ekonomike dhe politike”, ka thënë Przydacz, raporton The Guardian.
Takimi i fundit mes Zelenskyt dhe homologut të tij polak ishte në dhjetor të 2022-shit gjatë udhëtimit të tij në shtëpi nga Shtetet e Bashkuara.
Polonia është fqinji i Ukrainës dhe të dy vendet kanë lidhje të thella historike. Shumë ukrainas u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit të Rusisë vitin e kaluar, me një numër të madh që kërkonin siguri në Poloni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




