Pro Reformës Territoriale, Këshilli Bashkiak Korçë e miraton, 26 vota pro, 5 kundër

Aktualitet | 4 orë më parë

Këshilltarët bashkiakë të Korçës kanë diskutuar propozimin për ndarjen administrative territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Sipas këtij propozimi, bashkisë së Korçës i bashkohet edhe bashkia e Maliqit. Për këtë arsye, Këshilli Bashkiak paraprakisht ka zhvilluar disa dëgjesa me banorët e njësive administrative, duke marrë edhe mendimet e tyre. Sipas kryetarit të grupit të këshilltarëve të majtë, Petrika Tollkuçi, 75% e banorëve kanë qenë pro reformës.

Në mbledhjen e këshillit u shfaqën mendime të ndryshme nga këshilltarët: të djathtët kundër bashkimit me Maliqin, ndërsa të majtët pro këtij bashkimi.

“Kjo është në shkelje totale të kushtetutës, për faktin që niset si projektligj dhe pastaj bëhen dëgjesa, e më pas u dërgohet mendimi bashkive. Nuk ka konsensus politik normal, nuk ka as konsensus qytetar.” – Mirela Qeleshaj, këshilltare

“Unë jam kundër, e gjej të pavend, të paargumentuar, aspak teknike, por as politike.” – Lazjon Petri, këshilltar

“Mua më bie erë të keqe interesi elektoral kjo reformë.” – Irvin Bode, këshilltar

“Qytetarët do të kenë më pak akses dhe kërkesat e tyre, hallet e tyre do të kenë shumë më shumë vështirësi për t’u zgjidhur.” – Elvin Bregu, këshilltar

“Bashkitë e Korçës dhe të Maliqit, përveç orientimit bujqësor, kanë ngjashmëri dhe kohezion social e kulturor me njëra-tjetrën. Kështu që bashkimi i tyre në një të vetme do të jetë i natyrshëm dhe mjaft funksional.”  Petrika Tollkuçi, kryetar i grupit të këshilltarëve të majtë

Pas diskutimeve, propozimi për reformën administrative territoriale u miratua me 26 vota pro dhe 5 kundër.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme