Projektet kërkimore në Universitetin e Korçës – Forcohet bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit
Bashkëpunimi i Universitetit “Fan Noli” në Korçë me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit është forcuar nga viti në vit, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e projekteve kërkimore.
Pedagogët dhe stafi i universitetit i janë përgjigjur vazhdimisht thirrjeve për aplikime, të mbështetur edhe nga kualifikimi i tyre i vazhdueshëm profesional.
Aktualisht janë mbyllur aplikimet e këtij viti për projektet e infrastrukturës në kërkimin shkencor, ku Universiteti i Korçës ka dorëzuar disa aplikime për ndërtimin e laboratorëve.
“Vlen të përmendin projekte që kanë qenë në fushën e shkencave sociale dhe humane, në fushën e arsimit apo metodologjive të mësim dhënies. Kemi aplikuar në projekte që kanë qenë në fushën e shkencave sociale apo edhe atyre mjedisore. Janë projekte që kanë sjellë inovacion apo laborator që për nga cilësia mund të krahasohen me laborator bashkëkohore”, u shpreh Dr.Aida Mosko, Zv/Rektore për Shkencën dhe Projektet.
Universiteti i Korçës disponon disa laboratorë kërkimorë, një prej të cilëve është ngritur falë projekteve të mbështetura nga AKSHI, i fokusuar në kërkimet mbi ushqimin dhe përdorimin e metodave të avancuara për analizën e tij.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





