Projektet pro turizmit në Shkodër – Rrugë biçikletash Hani i Hotit – Velipojë dhe zyrë informacioni për turistët

Aktualitet | 12 muaj më parë

Impakti që turizmi ka në zhvillimin ekonomik bën që shumë nga projektet e investimeve të bashkisë së Shkodrës të jenë të përqendruara në këtë sektor.

Një nga projektet më të afërta, për sezonin e ardhshëm, është krijimi i një zyre të re informacioni turistik në qytet, e cila do të ofrojë hapësira dhe shërbime të shtuara për turistët që zgjedhin Shkodrën si destinacion.

“Në zyrën ekzistuese të informacionit turistik, ne kemi një numër shumë të lartë të turistëve që vijnë për të marrë informacion, për të pyetur për destinacion dhe duam ta transformojmë atë zyrë që të jetë sa më shumë e digjitalizuar, me një arkitekturë të bukur”, tha Bekim Mema, Drejtues i Zhvillimit Ekonomik, Bashkia Shkodër.

Një tjetër investim i parashikuar për sezonin e ardhshëm është ndërtimi i rrugës së biçikletave përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës, nga zona e Malësisë së Madhe e deri në Velipojë. Projekti synon të pasurojë ofertën turistike dhe të promovojë një mënyrë të qëndrueshme lëvizjeje për vizitorët.

“Një tjetër bashkëpunim shumë i rëndësishëm që kemi është me Bankën Europianë të Investimeve përsa i përket ndërtimit të rrugës së biçikletave. Edhe kjo është një investim i afërt që do të lidhet direkt me turistët, pasi edhe turistët që vijnë janë ambientalistë, natyrorë që duan të bëjnë xhiro me biçikleta”, tha Mema.

Ndërkohë, investimet që janë në proces, si hyrja e qytetit dhe rruga Shirokë–Zogaj, që pritet të përfundojë  brenda këtij viti, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shkodër.

Gazetar: A.Hoti 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme