Protesta masive në Izrael, kërkohet marrëveshje për lirimin e pengjeve

Botë | 2 vite më parë

Gjykata e Punës e Izraelit ka urdhëruar përfundimin e protestave mbarëkombëtare në vend, duke kërkuar që qeveria të bjerë dakord për një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Gjykata e Tel Avivit thotë se greva duhet të përfundojë në orën 14:30 me orën lokale, ndërsa mijëra njerëz po protestojnë në të gjithë vendin.

Protesta masive janë duke u zhvilluar në Izrael pasi sindikata e saj më e madhe e punëtorëve bëri thirrje për veprim për të nxitur një marrëveshje për lirimin e pengjeve, duke thënë se “e gjithë ekonomia izraelite do të mbyllet”.

Disa ministri të qeverisë, bashki, universitete, spitale dhe shkolla kanë ndërprerë punën. Fluturimet u ndërprenë në aeroportin ndërkombëtar të Tel Avivit.

Protestat  kanë shpërthyer pasi ushtria izraelite gjeti trupat e gjashtë pengjeve të vrarë në Gaza këtë fundjavë. Protestuesit thonë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur pengjet, duke shtuar presionin në rritje ndaj tij për të siguruar një marrëveshje armëpushimi me Hamasin.

Tre nga pengjet e vrarë në Gaza pritej të liroheshin në një marrëveshje armëpushimi, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë. Kjo marrëveshje nuk është arritur ende, teksa këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së ka  thënë se “ditët e ardhshme do të jenë kritike” në përpjekjen për të liruar ata që ende mbahen nga Hamasi. Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet sot me ekipin amerikan që negocion një marrëveshje.

Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ku 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng. Gjithsej 97 pengje mbeten të pagjetur.

Në Gaza, 40.786 njerëz janë vrarë që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme