Protesta në Francë/ 108 policë të plagosur nga përplasja me protestuesit, 291 persona të arrestuar

Të paktën 108 oficerë policie janë plagosur në përleshjet në të gjithë Francën, ku protestuesit të zemëruar u ngritën kundër reformave të pensioneve.
Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin tha se një numër kaq i madh i të plagosurve nga policia ishte jashtëzakonisht i rrallë, duke shtuar se 291 persona ishin arrestuar gjatë trazirave.
Qindra mijëra kanë marrë pjesë në demonstratat e 1 Majit kundër reformave të presidentit Emmanuel Macron. Shumica ishin paqësore, por grupet radikale hodhën fishekzjarre. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.
Nuk dihet se sa protestues janë lënduar. Kryeministrja Élisabeth Borne shkroi në Twitter se dhuna ishte “e papranueshme”.
Ministria e Brendshme tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte 782,000, duke përfshirë 112,000 në kryeqytetin Paris, por sindikatat thonë se shifra është trefishi i këtij numri.
Në Francë ka një kundërshtim ndaj reformës së pensioneve që rrisin moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64. Sindikatat kërkojnë tërheqjen e tyre, por Presidenti Emmanuel Macron thotë se reforma është një domosdoshmëri.
Ai nënshkroi reformën më 15 prill , disa orë pasi Këshilli Kushtetues i Francës mbështeti gjerësisht ndryshimet, por sondazhet e opinionit tregojnë se një shumicë e madhe e popullsisë kundërshton rritjen e moshës së pensionit. Reformat pritet të hyjnë në fuqi në shtator.
Qeveria ka premtuar bisedime të mëtejshme, por sindikatat janë të vendosura për të shfuqizuar ndryshimet dhe nuk është e qartë se kur mund të gjendet një kompromis./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




