Protesta pas zgjedhjeve në Venezuelë, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër protestuesve

Botë | 2 vite më parë

Mijëra persona dolën në protesta në rrugët e Karakasit  dhe marshuan drejt pallatit presidencial, ndërsa një forcat e shumta ushtarake dhe policore përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji kundër tyre me qëllim që t’i pengonin t’i afroheshin rezidencës.

Turmat e njerëzve bënin thirrje që qeveria të largohet. Protestat në kryeqytetin e Venezuelës shpërthyen pasi presidenti aktual, Nicolas Maduro shpalli fitoren. Opozita e konsideron deklaratën e tij si mashtrim dhe beson se kandidati opozitar Edmundo Gonzalez ka fituar mbi 73 për qind të votave. Edhe sondazhet publike para zgjedhjeve tregonin se fitues ishte kandidati i opozitës. Partitë opozitare u bashkuan në këto zgjedhje në një përpjekje për të larguar presidentin Maduro, i cili drejton vendin prej 11 vitesh, mes pakënaqësisë së përhapur për krizën ekonomike të vendit. Presidenti akuzoi opozitën se po bën thirrje për grusht shteti. 

“Ata po tentojnë të kryejnë grusht shteti në Venezuelë, të karakterit fashist dhe kundër-revolucionar”, tha Maduro gjatë një takimi me Këshillin Kombëtar Zgjedhor,  i cili e shpalli atë fitues të zgjedhjeve të së dielës.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë se rezultatet e publikuara në zgjedhje nuk përkojnë me vullnetin e popullit. Disa vende të Perëndimit dhe të Amerikës Latine, sikurse edhe Kombet e Bashkuara, u bënë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të publikojnë të dhënat e detajuara të votimeve.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme