Protestat në Iran, udhëheqësi Khamenei fajëson SHBA dhe Izraelin: Po nxisin trazira

Botë | 4 vite më parë

Udhëheqësi suprem i Iranit ka fajësuar SHBA-në dhe Izraelin për protestat anti-qeveritare që kanë përfshirë vendin, në komentet e tij të para publike mbi trazirat.

Ajatollah Ali Khamenei tha se “trazirat” ishin “nxitur” nga armiqtë e mëdhenj të Iranit dhe aleatët e tyre dhe pretendoi se Kuranet ishin djegur.

Ai u bëri thirrje gjithashtu forcave të sigurisë që të jenë të gatshme për t’u marrë me trazirat e mëtejshme. Protestat, sfida më e madhe ndaj sundimit të tij për një dekadë, u nxitën nga vdekja në paraburgim e një gruaje.

Mahsa Amini, 22 vjeç, ra në koma disa orë pasi u arrestua nga policia e moralit më 13 shtator në Teheran për dyshimin se kishte thyer ligjin e rreptë që u kërkon grave të mbulojnë flokët me një hixhab ose shami. Ajo vdiq tre ditë më vonë.

Familja e saj ka pretenduar se oficerët e kanë rrahur me shkop dhe e kanë goditur në kokë me një nga automjetet e tyre. Gratë kanë udhëhequr protestat që filluan pas funeralit të Amini, duke tundur shamitë e tyre në ajër ose duke u vënë flakën atyre me thirrjet “Grua, jetë, liri” dhe “Vdekje diktatorit”./ BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme