Protestat për moshën e pensionit/ Mbreti Charles III anulon vizitën shtetërore në Francë

Protestat e ditëve të fundit në Francë kanë detyruar mbretin Charles të anulojë vizitën e planifikuar. Si Pallati Élysée i Francës ashtu edhe Pallati Buckingham, konfirmuan këtë të premte (24 mars), se udhëtimi u anulua.
Monarku britanik duhej të vizitonte Francën më 26 mars deri më 29 mars dhe do vizitonte Parisin dhe qytetin jugperëndimor të Bordo.
Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, konfirmoi për CNN se Mbreti Charles dhe Camilla do të udhëtonin nga Franca në Gjermani të mërkurën për një vizitë shtetërore. Pjesa e dytë e udhëtimit pritet të vazhdojë ende.
“Për shkak të shpalljes së djeshme të një dite të re kombëtare të aksionit kundër reformës së pensioneve të martën, më 28 mars në Francë, vizita e Mbretit Charles III, e planifikuar fillimisht për datat 26-29 mars në vendin tonë, do të shtyhet. Ky vendim është marrë nga qeveria franceze dhe ajo britanike, pas një shkëmbimi telefonik mes Presidentit të Republikës dhe Mbretit këtë mëngjes, me qëllim që të mund të mirëpresim Madhërinë e Tij Mbretin Charles III në kushte që korrespondojnë me marrëdhëniet tona miqësore”, thuhet në deklaratë.
Vendimi për shtyrjen e vizitës në Francë, erdhi pas shpërthimit të protestave në disa zona në Francë, përfshi edhe Bordo. Mbrëmjen e djeshme (23 mars) protestuesit gjatë një përleshje me policinë i vunë zjarrin Bashkisë në Bordo. Zjarrëfikësit bënë të mundur shuarjen e zjarrit, ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




