Pse janë rritur tensionet përgjatë kufirit lindor të NATO-s me Bjellorusinë?

Botë | 3 vite më parë

Polonia po dërgon mijëra trupa ushtarake në kufirin e saj me Bjellorusinë, duke e komentuar atë si një “veprim parandalues”, ​​ndërsa tensionet mes dy fqinjëve po rriten. 

Këto tensione midis Polonisë, një vend i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe Bjellorusisë, e cila është aleate e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, janë rritur muajt e fundit në kufi. Ja pse:

Origjina e tensionit

Polonia ka mbështetur opozitën bjelloruse që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ku udhëheqësi pro-rus bjellorus Alexander Lukashenko, fitoi një mandat të gjashtë në një votim që Polonia dhe komuniteti më i gjerë perëndimor e panë si të manipuluar.

Në vitin 2021, Bjellorusia filloi të organizojë dhe të shtyjë mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika përtej kufirit të saj duke I dërguar në Poloni. Masa shihet nga Polonia dhe BE si e koordinuar me Kremlinin dhe synon të shkaktojë destabilitet në Evropë. 

Qeveria e krahut të djathtë e Polonisë, armiqësore ndaj idesë së pranimit të emigrantëve, ndërtoi një mur prej 400,000 dollarësh që reduktoi ndjeshëm hyrjen.

Pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, Polonia e dënoi sulmin dhe e ka mbështetur Kievin me pajisje ushtarake, mbështetje politike dhe ndihmë humanitare, duke përfshirë pritjen e më shumë se 1.2 milionë refugjatëve. 

Bjellorusia është në anën e Rusisë në konflikt. Polonia merr pjesë në sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj të dy vendeve.

Veprimet e fundit nga Bjellorusia dhe Rusia

Zyrtarët shtetërorë të Bjellorusisë dhe aktivistët pro-qeveritar kanë formuar një grup të quajtur Komanda e Forcave Patriotike, të cilën Minsk e përdor si një mjet politik. 

Në një fjalim të fundit drejtuar kombit polak, grupi pretendoi se politikanët polakë “po ndezin zjarrin e luftës me veprimet dhe retorikën e tyre”, si dhe po “nxiten nga furia e shovinizmit”.

Ndërkohë, zyrtarët në Moskë kanë shprehur vazhdimisht akuza të pabaza se Polonia synon të aneksojë rajonet perëndimore të Ukrainës. Moska thotë gjithashtu se ka zhvendosur disa nga armët e saj bërthamore me rreze të shkurtër veprimi në Bjellorusi, afër kufirit lindor të NATO-s.

Polonia është gjithashtu e shqetësuar për praninë në Bjellorusi të mijëra mercenarëve rusë Wagner, të cilët kohët e fundit u tha se kishin marrë pjesë në stërvitje pranë kufirit. 

Dy burra rusë u arrestuan javën e kaluar në Poloni të akuzuar se kishin përhapur ideologjinë e grupit Wagner. Më shumë se gjysma e polakëve të pyetur së fundmi nga qendra e anketimit IBRIS thanë se i konsideronin mercenarët rusë në Bjellorusi si një kërcënim.

Dy helikopterë ushtarakë bjellorusë fluturuan në lartësi të ulët mbi fshatin polak të Bialowieza, pranë kufirit, për disa minuta javën e kaluar përpara se të ktheheshin në Bjellorusi, një veprim që Polonia tha se ishte një provokim.

Pse është rajoni aq i rëndësishëm strategjikisht?

Përveç të qenit kufiri i NATO-s dhe BE-së, kufiri lindor i Polonisë përfshin një pikë strategjike, të ashtuquajturin Hendeku Suëalki – 96 kilometra vijë kufitare me Lituaninë, që lidh tre shtetet baltike, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, me pjesën tjetër të aleancën e NATO-s dhe BE-në. Hendeku i ngushtë ndan gjithashtu Bjellorusinë nga Kaliningrad, një enklavë ruse e militarizuar rëndë që nuk ka lidhje tokësore me Rusinë.

Analistët ushtarakë në Perëndim e kanë parë prej kohësh Hendekun Suwalki si një pikë të mundshme të ndezjes në çdo konfrontim midis Rusisë dhe NATO-s. Ata shqetësohen se Rusia mund të përpiqet të kapë hendekun dhe të ndërpresë lidhjen mes tre shteteve baltike.

Zona mbrohet nga shumë nga trupat polake dhe amerikane në anën polake, si dhe trupat kanadeze dhe gjermane në anën lituaneze. 

Polonia rrit kufirin

Qeveria e Polonisë thotë se nuk do të frikësohet dhe po ndërton potencialin e saj të mbrojtjes dhe parandalimit, si dhe po lëviz trupat dhe pajisjet moderne në lindje, për të forcuar kufirin me Bjellorusinë dhe me Kaliningradin.

“Nuk ka dyshim se regjimi i Bjellorusisë po bashkëpunon me Kremlinin dhe se ky veprim është kundër Polonisë me qëllim që të destabilizojë vendin tonë”,- tha javën e kaluar ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak.

Polonia rriti edhe shpenzimet e saj për mbrojtjen në më shumë se 2.5% të PBB-së vitin e kaluar. Shuma do të rritet përsëri këtë vit. Ajo shpenzoi më shumë se 16 miliardë dollarë për armë, duke përfshirë tanket Abrams, sistemet e raketave Patriot, avionët luftarakë, tanke dhe obus. Disa prej tyre do të zëvendësojnë pajisjet sovjetike dhe ruse të ofruara në Ukrainë. 

Zgjedhjet në Poloni

Polonia do të zhvillojë zgjedhje vendimtare parlamentare më 15 tetor. Partia populiste Ligj dhe Drejtësi, e cila është në pushtet që nga viti 2015, synon të fitojë një mandat të tretë të paprecedentë.

Partia po prek shqetësimet e sigurisë së publikut dhe po thekson përpjekjet e saj për të forcuar mbrojtjen, duke kërkuar të grumbullojë votuesit rreth politikave të saj dhe të diskreditojë opozitën dhe udhëheqësin e saj kryesor, ish-kryeministrin Donald Tusk. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme