Publikohen 4 akuzat që Komiteti i rekomandon Departamentit të Drejtësisë, për hetim penal ndaj ish- presidentit, Trump

Komiteti i Kongresit, i cili po heton trazirat që ndodhën në Kapitol në SHBA, i ka rekomanduar Departamentit të Drejtësisë hetim penal për ish- presidentin, Donald Trump.
Përfaqësuesi, Jamie Raskin, konfirmoi se Komiteti ka rekomanduar 4 akuza penale dhe pse i ka zgjedhur ato.
Pengimi i një procedimi zyrtar: Ky status ka të bëjë me pengimin “korruptiv”, ndikimin ose pengimin e çdo procedimi zyrtar ose përpjekjet për ta bërë këtë. Komiteti e rekomandoi këtë akuzë pasi ata thonë se Trump u përpoq qëllimisht që të ndalonte Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Komploti për të mashtruar Shtetet e Bashkuara: Ky krim përfshin “dy ose më shumë persona që komplotojnë ose për të kryer ndonjë vepër kundër Shteteve të Bashkuara, ose për të mashtruar Shtetet e Bashkuara ose ndonjë agjenci të tyre”. Komiteti beson se Trump ka bashkëpunuar me të tjerët për të penguar funksionin e qeverisë amerikane, si dhe për të mashtruar publikun rreth rezultateve.
Komploti për të bërë deklarata të rreme: Ky status përbën krim për një zyrtar qeveritar që synon të mbulojë një skemë, të bëjë deklarata të rreme materiale ose të lëshojë deklarata ose dokumente të rreme, duke e ditur se informacioni nuk është i vërtetë. Komiteti pretendon se Trump dhe mbështetësit e tij kishin planifikuar të paraqisnin një listë elektorësh të rremë në shtetet kryesore, të cilët do t’i kishin dorëzuar atij presidencën në kundërshtim me rezultatet e zgjedhjeve.
Kryengritje: Ky krim lidhet me nxitjen, ndihmën ose angazhimin “në çdo rebelim ose kryengritje kundër autoritetit të Shteteve të Bashkuara”. Komiteti argumenton se Trump inkurajoi mbështetësit e tij që të vinin në Uashington dhe të shkaktonin trazira, dhe ndërsa sulmi vazhdonte, ai nuk mori masat e duhura për t’i dhënë fund dhunës. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



