Publikohet video, momenti kur avioni ukrainas me 11.5 ton municione rrëzohet në Greqi

Mediat greke kanë publikuar pamje të momentit të rrëzimit të avionit ukrainas, i ngarkuar me 11.5 ton municione. Në video, e xhiruar nga banorë të qytetit Kavalla ku ndodhi ngjarja, shihet avioni në flakë në ajër i cili më pas përplaset në tokë duke shkaktuar një shpërthim dhe zjarr.
Në bordin e avionit ishin 8 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa ishte nisur nga qyteti i Nishit në Serbi dhe kishte si destinacion Bangladeshin.
Autoritetet i tremben rrezikut të shpërthimit të municioneve, ndërsa banorët janë këshilluar të qëndrojnë të mbyllur në banesë. Shqetësim ka ngjallur një lëndë e bardhë e përhapur në zonë, që shkakton djegie të syve dhe të buzëve. Kompania e kundërmasave të Mbrojtjes Biologjike Bërthamore ka shkuar në zonë për të ndihmuar me hetimet, ndërsa as ekipet e kërkim-shpëtimit nuk janë afruar më shumë se 50 metra nga vendi i ngjarjes, për shkak të rrezikut.
Avioni, Antonov-12, ishte ukrainas dhe i përkiste kompanisë Meridian. Gjatë fluturimit ai pësoi një defekt mekanik dhe piloti donte të bënte një ulje emergjente, por nuk mundi. Konkretisht, në komunikimin e tij me Kullën e Kontrollit, piloti bëri me dije se po përballej me një problem, si dhe se zjarri në motorin e avionit po krijonte probleme të tjera dhe deklaroi se do të tentonte të ulej në Kavallë. Avioni kishte humbur motorin e katërt në ajër dhe për pasojë kishte marrë flakë./ Protothema
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




