Pushime në Borsh, kënaqësi dhe liri në një gji të veçantë
Plazhi i Gjirit të Borshit është një perlë e jugut, me ujë të kristaltë dhe rërë të hollë, ku dallgët janë të rralla falë formës së gjerë të gjirit.
Mjedisi është i qetë dhe i pastër, ndërsa mungesa e ankorimeve të anijeve ruan pastërtinë e ujit dhe bukurinë natyrore.
Pushuesit gjejnë këtu një ambient relaksi, me çadra dhe shezlongë që ofrohen me çmime të përballueshme, nga 500 deri në 800 lekë të reja, dhe shpesh mund të përdoren falas nëse preferon restorantet pranë plazhit.
Një nga sekretet e Borshit është pikërisht kjo harmoni midis cilësisë dhe çmimeve të arsyeshme, që e bëjnë destinacion të preferuar për pushime të qeta dhe të kënaqshme.
“Erdhëm për herë të parë në Borsh për të parë si janë kushtet dhe më pëlqeu. Ambient i qetë, familjar, plazh i mirë dhe kushtet e mira”, tha pushuesi.
“Zgjodha Borshin pasi duket i përshtatshëm për familjarë. Gjejmë vetën këtu, jemi si në shtëpinë tonë, qetë dhe freskët. Ajri dhe plazh i pastër”, shprehet pushuesi.
Baftjar Çaushi, emigrant në SHBA dhe investitor në Borsh, thotë se Borshi është një nga plazhet më cilësore të jugut, por që kërkon investime serioze sidomos në drejtim të pastërtisë, si një nga çelësat për ta mbajtur këtë vend tërheqës.
“Jetoj në Amerikë, por kam investuar në Borsh prej 20 vitesh. E vetmja gjë që duhet të jetojmë ose që e kemi në dorë është të shfrytëzojmë këtë bukuri që na e ka falur natyre dhe të mos ia falim të tjerëve“, tha Çaushi.
Nëpër plazhin e Borshit duken automjete dhe rulota të turistëve të huaj të vendosura afër bregut, ndërsa përgjatë vijës bregdetare shtrihen bare e restorante verore që shërbejnë si biznese stinore. Gjiri i Borshit nuk synon turmat masive, por ata vizitorë që dinë të zgjedhin pushime të qeta dhe të përballueshme, buzë një deti të paprekur.
Gazetare: S. Spaho
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





