Putin akuza Ukrainës për akt terrorist: Hapën zjarr ndaj civilëve në fshatin kufitar rus

Botë | 4 vite më parë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur akuza në drejtim të Ukrainës duke pretenduar se një “grup sabotues” nga Kievi hyri në një rajon kufitar rus të enjten dhe hapi zjarr ndaj civilëve. Në një komunikim në televizionin shtetëror rus, Putin e konsideroi atë “një akt terrorist”

“Sot ata kryen një tjetër akt terrorist, një krim tjetër, depërtuan në zonën kufitare dhe hapën zjarr ndaj civilëve. Ata e panë që ishte një makinë civile, se atje ishin ulur civilë dhe fëmijë dhe hapën zjarr. Janë pikërisht këta njerëz që i vunë vetes detyrën të na heqin kujtesën historike. Ata nuk do të arrijnë asgjë”, ka thënë ai.

Kievi e mohoi pretendimin rus, teksa BBC shkruan se incidenti i supozuar nga Rusia nuk është verifikuar në mëntrë të pavarur.

Mykhaylo Podolyak, një këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e konsideroi akuzën “një provokim klasik i qëllimshëm”.

“Rusia dëshiron të trembë popullin e saj për të justifikuar sulmin ndaj një vendi tjetër“, shkroi ai në Twitter.

Rusia ka raportuar më parë për disa sulme me raketa dhe dronë të Ukrainës në zonat kufitare ruse, duke përfshirë rajonin Bryansk. Por nuk ka pasur raporte të konfirmuara për infiltrimin e forcave tokësore të Ukrainës në Rusi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme