Putin paralajmëron Britaninë: Përgatituni për përgjigje ruse nëse furnizoni Ukrainën me predha të uraniumit të varfëruar

Botë | 4 vite më parë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar Britaninë për “përgjigje ruse”, në rast se do të furnizojnë Ukrainën me predha tankesh të bëra me uranium të varfëruar.

Komentet e liderit rus, të bëra gjatë vizitës në Moskë nga homologu i tij kinez Xi Jinping , erdhën në përgjigje të një deklarate të bërë nga ministri i mbrojtjes britanik në Dhomën e Lordëve.

“Nëse kjo ndodh, rusët do të duhet të përgjigjen në përputhje me rrethanat, duke pasur parasysh se perëndimi kolektivisht tashmë ka filluar të përdorë armë me një komponent bërthamor”, tha ai.

Putin nuk dha detaje, megjithëse udhëheqësi rus shpesh bën kërcënime të lidhura me luftën bërthamore, kryesisht në një përpjekje për të bindur vendet perëndimore të kufizojnë ndërhyrjet e tyre në luftën në Ukrainë.

Ndërkohë, Sergei Shoigu, ministri rus i mbrojtjes, tha se tani kanë mbetur gjithnjë e më pak hapa përpara një “përplasjeje bërthamore” të mundshme midis Rusisë dhe perëndimit.

Britania u përgjigj duke akuzuar Rusinë për “përpjekje të qëllimshme për të dezinformuar”. “Uraniumi i varfëruar nuk ka të bëjë me armët dhe aftësitë bërthamore”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Uraniumi i varfëruar është një nënprodukt i procesit të pasurimit që prodhon lëndë djegëse bërthamore dhe armë, dhe kështu është më pak radioaktiv se metali natyral, megjithëse shqetësimet mbeten për toksicitetin e tij./ The Guardian

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme