Qetësohet situata në Drenie, shuhen vatrat e zjarrit në pyllin me pisha

Situata e zjarreve në zonën pyjore të Drenies, në kufirin mes bashkive Patos dhe Roskovec, është qetësuar. Aktualisht nuk raportohen më vatra aktive apo fronte zjarri në masivin me pisha, ndërsa forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.
Megjithatë, në disa pjesë të territorit vijojnë të shfaqen vatra të vogla tymi, kryesisht nga trungje, shkurre dhe dru të djegur që kanë mbetur pas zjarrit.
Ekipet zjarrfikëse po ndërhyjnë menjëherë në këto pika për t’i izoluar dhe shuar plotësisht, me qëllim që ato të mos shndërrohen në vatra të reja në rast të ndryshimit të drejtimit ose forcimit të erës.
Forcat që morën pjesë në operacionin e shuarjes vijojnë të qëndrojnë në terren dhe po monitorojnë territorin, pasi rreziku i riaktivizimit mbetet i pranishëm për shkak të temperaturave të larta, terrenit të thatë dhe erës.
Aktualisht, në zonën e Drenies dhe Vloshtit vërehen kryesisht trungje dhe sipërfaqe të djegura që vijojnë të nxjerrin tym. Ekipet po punojnë për shuarjen e tyre, në mënyrë që zjarri të konsiderohet plotësisht i izoluar.
Për momentin, situata mbetet e qetë dhe nën kontroll, ndërsa monitorimi do të vijojë edhe në orët në vazhdim për të parandaluar çdo riaktivizim të zjarrit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




