Qytetarët në qendër të integrimit, Forumi në Kuvend, 50 qytetarë diskutojnë për rrugën europiane

Aktualitet | 39 minuta më parë

Në Kuvendin e Shqipërisë u çel Forumi Qytetar “Shqipëria dhe e Ardhmja e Evropës: Qytetarët në Qendër të Zgjerimit të BE-së”, një nismë që synon të sjellë zërin e qytetarëve më pranë procesit të integrimit evropian.

Në ceremoninë e hapjes, nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, tha se rruga drejt Evropës nuk duhet të jetë vetëm një proces institucional, por një proces ku qytetarët kanë zë dhe marrin pjesë në vendimmarrje.

“Demokracia është një marrëdhënie e vazhdueshme midis qytetarëve dhe institucioneve. Ajo kërkon që qytetarët të kenë mundësi të shprehen, të kontribuojnë në diskutimin mbi politikat dhe të shohin se pikëpamjet e tyre merren realisht në konsideratë. Të dëgjohesh nuk është privilegj, të dëgjohesh është një e drejtë demokratike dhe kjo është arsyeja pse pjesëmarrja qytetare është thelbësore në procesin e integrimit evropian”, u shpreh Kushi.

Përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së e cilësuan forumin një mundësi për dialog të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke theksuar se zëri, shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre duhet të jenë pjesë e diskutimit për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Diskutimet nisën me tryeza të rrumbullakëta dhe vijuan me seanca plenare, me fokus te qeverisja, reformat ekonomike, pjesëmarrja qytetare dhe procesi i zgjerimit të BE-së. Forumi, i zhvilluar për tre ditë në Tiranë, mblodhi 50 qytetarë të përzgjedhur nga zona të ndryshme të vendit, së bashku me eurodeputetë, deputetë të Kuvendit dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë.

Në përfundim, qytetarët do të votojnë rekomandimet e Forumit, të cilat do t’u përcillen vendimmarrësve në Tiranë dhe Bruksel.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme