Raketat ruse godasin Poloninë? Mblidhet Këshilli polak i Sigurisë Kombëtare! Reagon Rusia

Polonia ka thirrur një takim urgjent të niveleve më të larta, mes raportimeve për sulme nga raketa ruse që kishin humbur drejtim. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, mësohet se ka thirrur një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Polonisë, pas raportimeve të pakonfirmuara se raketa ruse pa adresë kanë goditur një fermë në një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona. Fshati quhet Przewodów.
Agjencia e lajmeve Associated Press bëri të ditur se burimi për lajmin rreth raketave që goditën një fermë polake, ishte një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane.
“Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Mueller, nuk e konfirmoi këtë raportim”,- thotë AP.
Edhe Pentagoni ka deklaruar se nuk mund ta vërtetojë këtë raportim.
Reuters citon zjarrfikësit polakë që kanë konfirmuar se dy persona kanë vdekur pas një shpërthim në Przewodów.
“Zjarrfikësit janë në vendngjarje. Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur,”- tha Lukasz Kucy, oficer në detyrë pranë një pike zjarrfikësish pranë zonës.
Pentagoni shqyrton raportimet për sulme raketore ndaj Polonisë
Sekretari i Shtypit i Departamentit të Mbrojtjes, gjenerali Patrick S Ryder, tha:
“Ne jemi në dijeni të raportimeve të shtypit për këtë ngjarje. Nuk kemi ende asnjë informacion për momentin, për të vërtetuar raportimet. Por përsëri i marrim seriozisht dhe po i shqyrtojmë ato raportime. Do të sigurohem që t’ju ofrojmë çdo përditësim sapo t’i kemi ato.”
Më pas ai shtoi: “Nuk kemi asnjë informacion për t’i vërtetuar ato në këtë moment. Nuk dua të spekuloj apo të futem në hipoteza. Kur bëhet fjalë për angazhimet tona të sigurisë dhe nenin 5, ne kemi qenë të qartë se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.”
Kryeministri hungarez thërret një takim urgjent të këshillit të mbrojtjes
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të tij të Mbrojtjes. Lajmi u raportua nga zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs.
Mbledhja duket se ka lidhje me sulmin e raportuar me raketa ruse në një fshat polak, si dhe për pezullimin e përkohshëm të furnizimit me naftë ruse në Hungari nëpërmjet tubacionit të naftës në Druzhba.
Rusia: Raportimet për sulme ndaj Polonisë janë “provokime të qëllimshme”
Ministria ruse e Mbrojtjes ka reaguar pas raportimeve, në lidhje me raketa pa adresë, që dyshohet se janë ruse, se kanë goditur territorin polak. Ajo deklaroi se raportimet janë “provokim i qëllimshëm”.
“Asnjë goditje nuk është kryer kundër objektivave pranë kufirit shtetëror të Ukrainës me Poloninë nga raketat ruse,”- thuhet në deklaratë. Ministria thotë se fragmentet e raketave nga vendi i ngjarjes, të raportuara dhe të filmuara nga mediat polake, nuk kanë të bëjnë me armët ruse.
NATO po verifikon raportimet
I pyetur për zhvillimet në Poloni, një zyrtar i NATO-s i tha BBC se: “Ne jemi duke i shqyrtuar raportimet, si dhe po koordinohemi në bashkëpunim të ngushtë me aleatin tonë, Poloninë”.
“Alarm” në vendet baltike pas raportimeve për një sulm rus në Poloni
Vendet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, shprehin shqetësimin e tyre dhe solidaritetin me Poloninë, pas raportimeve se raketat ruse kanë ranë në territorin polak, në kufirin me Ukrainën, duke vrarë dy persona.
“Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të NATO-s”, tha presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Situata në Poloni, reagon Gjermania, Franca dhe Hollanda
Polonia është duke zhvilluar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa qeveria polake po merr gjithnjë e më shumë mbështetjeje nga aleatët e saj në NATO.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, shkroi në Twitter se: “Ne po monitorojmë nga afër situatën dhe jemi në kontakt me miqtë tanë polakë dhe aleatët e NATO-s.”
Edhe kryeministri holandez Mark Rutte, ka shkruar në Twitter një mesazh të ngjashëm, duke nënvizuar se “është e rëndësishme që të përcaktohet se çfarë ka ndodhur saktësisht”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, thotë gjithashtu se është në kontakt me Poloninë dhe se parashikon nesër bisedime në G20 për incidentin. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



