Rama: Përdorimi teknologjik shkurton kohë dhe kosto. Përmes e-Albania kursyem 620 mln euro  

Aktualitet | 2 vite më parë

Programi Startup Grant 2025 do të financojë 86 startup-e të reja, duke ofruar mbështetje financiare dhe transformuar idetë e të rinjve në biznese reale që do të kenë më pas ndikim në zhvillimin ekonomik.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në event, theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në transformimin e jetës së shqiptarëve. Duke u ndalur në një audit të kryer për platformën e-Albania, Rama tha se qytetarëve shqiptarë u janë kursyer 620 milionë euro dhe 75 milionë fletë letre, si dhe ka ulur kohën e shërbimit.

“Me një grup ekspertësh bëmë një audit analitik për çfarë ka ndryshuar platforma e-Albania në jetën e shqiptarëve dhe më mbetën në mend 3 të dhëna: e para, që nga platforma janë kursyer shqiptarëve 620 milionë euro në total, përndryshe do kishin shpenzuar për të marrë shërbimet që kanë marrë gjatë këtyre viteve. E dyta, janë kursyer 75 milionë fletë letre dhe e treta, koha e kursyer është 25 mijë rrotullime rreth Tokës. Kjo është bekimi i teknologjisë që, në marrjen e shërbimeve, ka mundësi të bëjë kapërcime historike të një natyre që s’do i bënin dot pa teknologjinë”, tha Rama.

Rama foli edhe për avancimin e përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) në proceset e negociatave me Bashkimin Evropian, duke shkurtuar vite të tëra pune dhe kosto për shtetin.

“Modelin e IA e kemi në punë lidhur me procesin e negociatave me BE-në. Modeli ynë e bën, brenda pak minutash, atë që përkthyesit dhe draftuesit kanë bërë në vendet e tjera për vite me radhë. Në harkun e 5-6 muajve do kemi të përfunduara të gjithë volumin në gjuhën shqipe dhe me cilësi të lartë të dokumenteve të BE-së lidhur me procesin e integrimit. Me prokurimet publike po punojmë me Microsoft për një model inovativ pa pjesëmarrjen e njeriut. Ndërhyrja në gjenerimin e rezultatit do të jetë pa pjesëmarrjen e njeriut dhe në fund për certifikimin e rezultatit do të jetë një komision me personat e duhur”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme