Raporti i CNN: Stoqet e sistemeve të armëve amerikane për Ukrainën po pakësohen

Botë | 4 vite më parë

“SHBA nuk ka më shumë sisteme armësh dhe municionesh të teknologjisë së lartë për t’i çuar në Kiev”, kështu shkruan CNN, teksa citon tre zyrtarë amerikanë me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje.

Presioni mbi rezervat e armëve dhe aftësia e industrisë amerikane për të vazhduar me kërkesën është një nga sfidat kryesore me të cilat përballet administrata e Bidenit, ndërsa SHBA vazhdon të dërgojë miliarda dollarë armë në Ukrainë për të mbështetur luftën e saj kundër Rusisë.

Një nga zyrtarët i tha CNN se stoqet e disa sistemeve të armëve po “zvogëlohen” pas gati nëntë muajsh ndihme ushtarake për Kievin, pasi ka një “sasi të fundme” të inventarit të tepërt që SHBA ka në dispozicion për të dërguar.

Ndër sistemet e armëve ku ka shqetësim të veçantë nëse stoku i SHBA mund të përmbushë kërkesat e Ukrainës janë predha artilerie 155 mm dhe raketa anti-ajrore Stinger.

Janë ngritur shqetësime edhe për prodhimin amerikan të sistemeve shtesë të armëve, duke përfshirë raketat anti-radar HARMs, raketat tokë-tokë GMLRS dhe raketat antitank portative Javelin, megjithëse SHBA-ja ka rritur prodhimin.

Për herë të parë në dy dekada, SHBA nuk përfshihet drejtpërdrejt në një konflikt pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani. Pa nevojën për të prodhuar armë dhe municione për një luftë, SHBA nuk ka ndërtuar sasinë e materialit të nevojshëm për të mbështetur një konflikt të qëndrueshëm dhe me intensitet të lartë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme