Rebelimi italian, plazhet private shohin rënie të vizitorëve, çmimet e larta dhe kriza ekonomike shtyjnë turistët drejt plazheve publike dhe maleve

Këtë verë, pushuesit italianë po ndryshojnë traditën e tyre të pushimeve, duke u larguar nga plazhet private për shkak të çmimeve të larta dhe situatës ekonomike. Sipas të dhënave, vendpushimet private kanë regjistruar një rënie të ndjeshme të numrit të vizitorëve, me 15% dhe 25% në qershor dhe korrik, krahasuar me vitin 2024. Kjo situatë ka ndezur një debat të gjerë mbi kostot e pushimeve dhe të drejtën për plazhe të lira.
Sipas shoqatës së konsumatorëve Altroconsumo, kostoja mesatare e qirasë për një shezlong është rritur me 17% krahasuar me katër vjet më parë. Nxjerrja e dy shezlongëve dhe një çadre në rajonin e Lacios kushton rreth 30 euro në ditë, ndërsa në vendpushime si ai i Galipolit në Puglia, çmimi arrin deri në 90 euro.
Presidenti i shoqatës së klubeve të plazhit, Fabrizio Licordari, ia atribuon rënien e numrit të pushuesve kostos së lartë të jetesës, duke theksuar se familjet po i shkurtojnë shpenzimet për argëtimin dhe pushimet. Nga ana tjetër, shoqata e konsumatorëve Codacons akuzon pronarët e koncesioneve se po “derdhin lot krokodili” dhe se shkuarja në plazh është kthyer në një luks të papërballueshëm.
Aktori i njohur, Alessandro Gassmann, e thelloi debatin duke ndarë në Instagram një foto të plazheve me shezlongë të zbrazët dhe duke bërë thirrje për uljen e çmimeve.
Ndërkohë, ndërsa plazhet po humbasin vizitorë, zonat malore, si Dolomitet, po përjetojnë një bum turizmi. Sipas gazetës italiane Il Messaggero, gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin malet, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për të shpëtuar nga temperaturat e larta të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Ky trend i ri sugjeron një ndryshim të madh në preferencat e pushimeve verore të italianëve, me një kthim nga kultura tradicionale e detit drejt maleve. Theguardian
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





