“Reforma territoriale 2.0 ishte pjesë e programit të PS-së”, Mazniku: I dhamë një seri shansesh opozitës

Reforma territoriale dhe propozimet për rishikimin e organizimit administrativ të vendit ishin në fokus të emisionit “Trialog”, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani.
I ftuar në studio, deputeti i Partisë Socialiste dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, sqaroi ecurinë e procesit dhe arsyet pse komisioni nuk arriti të përmbyllte të gjitha objektivat e parashikuara.
Mazniku theksoi se Reforma e Administrimit Territorial 2.0 nuk ishte një iniciativë e momentit, por një angazhim i shpallur prej kohësh nga Partia Socialiste dhe më pas i përfshirë në programin qeverisës.
“Reforma e Administrimit Territorial 2.0 është një element që ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe më pas pjesë e programit qeverisës. Kushdo që hap programin e PS-së, te kapitulli i fuqizimit të pushtetit vendor, pika e parë është pikërisht Reforma Administrative Territoriale 2.0.” tha Mazniku.
Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e programit politik u transformua në program qeverisës dhe për rrjedhojë procesi nuk duhet konsideruar si i papritur.
“Nuk është se ka qenë diçka e papritur. Partia Socialiste ka marrë vota në zgjedhje dhe të gjithë kanë qenë në dijeni të këtij propozimi për realizimin e reformës territoriale.” u shpreh ai.
Deputeti socialist u ndal edhe te puna e Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, duke nënvizuar se procesi ishte konceptuar si një proces gjithëpërfshirës dhe i konsultuar me opozitën.
“Kemi pasur një komision parlamentar i cili ka punuar në një kontekst të caktuar së bashku me opozitën. Prania e opozitës në këtë proces kishte një rëndësi të veçantë, sepse ne i dhamë asaj gjysmën e anëtarëve të komisionit dhe bashkëkryesinë.” tha Mazniku.
Ai deklaroi se mungesa e opozitës në muajt e parë ndikoi drejtpërdrejt në ecurinë e punës së komisionit.
“Nga 275 ditë që ishte mandati i komisionit, 120 ditët e para komisioni nuk arriti të mblidhej sepse opozita nuk mori pjesë. Pa këto dy elemente nuk mund të zhvillonim mbledhje dhe nuk mund të miratonim rendin e ditës. Kjo është një çështje e rëndësishme, sepse duhet kuptuar se procesi nuk ishte vetëm teknik, por edhe politik.” deklaroi ai.
Sipas Maznikut, mazhoranca ofroi një sërë garancish për të mundësuar bashkëpunimin me opozitën në funksion të reformës.
“Ne i dhamë opozitës një sërë garancish dhe mundësish që reforma të bëhej së bashku. Në momentin kur opozita tregoi se nuk donte të ecte në këtë rrugëtim me mazhorancën, ne u gjendëm përballë dy zgjedhjeve: ose reforma të dështonte, ose të bënim atë që ishte e mundur brenda kuadrit që kishim.” theksoi ai.
Mazniku shpjegoi se anëtarët socialistë të komisionit vendosën të fokusohen te elementët që mund të trajtoheshin brenda afateve në dispozicion, sidomos për shkak të afërsisë së zgjedhjeve të vitit 2027.
“Duke qenë të kushtëzuar nga zgjedhjet e vitit 2027 për elementin territorial, vendimi ynë ishte të blinim kohë, të paktën edhe një vit tjetër, për të trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me mekanizmat e decentralizimit, funksionet e pushtetit vendor, mekanizmat e financimit dhe mënyrën se si mund të funksionojnë më mirë bashkitë.” u shpreh Mazniku.
Sipas tij, objektivi i fazës së ardhshme të reformës është forcimi i pushtetit vendor, përmirësimi i mekanizmave financiarë dhe rritja e efikasitetit të bashkive në shërbim të qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




