Reforma territoriale dhe zgjedhore në Kuvend, gazetarja Dunisha: Ja ku qëndrojnë palët dhe çfarë pritet në ditët në vijim
Reforma e re territoriale ka rikthyer përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa propozimet për ndryshimin e hartës së bashkive pritet të vijojnë të diskutohen në Kuvend. Sipas gazetares së RTSH, Rugova Dunisha, propozimi i Partisë Socialiste parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 45, ndërsa Partia Demokratike kundërshton këtë model dhe kërkon rritjen e numrit të njësive vendore.
Dunisha theksoi për “Mirëmëngjesi Shqipëri- Aktualitet”, se reforma territoriale ka qenë në qendër të debatit politik që prej korrikut, ndërsa drafti i depozituar nga socialistët në Kuvend po përfundon fazën 60-ditore të konsultimit publik. Sipas saj, në Konferencën e Kryetarëve, Partia Socialiste ka kërkuar që reforma territoriale dhe propozimi i saj, së bashku me atë të demokratëve, të kalojnë për diskutim në seancën plenare të 8 tetorit. Deputetët demokratë e kanë kundërshtuar këtë afat, duke argumentuar se nuk ka kohë të mjaftueshme për konsultimin e propozimeve.
“Pas propozimit të Partisë Socialiste dhe draftit të depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, i cili po arrin edhe fazën 60 ditore me 29 shtator bën 60 ditët e tij të konsultimit publik. Tashmë ai po hyn në një fazë tjetër në procedurat parlamentare. Duke qenë se ndarja e re territoriale e propozuar nga socialistët ka ngjallur mjaft debate në disa bashki të vendit, kryesisht në ato 15 bashki të cilat do të duhet të shkrihen në një farë mënyre për t’iu bashkuar bashkive fqinje të cilat janë propozuar tashmë në draftin e socialistëve”, u shpreh gazetarja.
Nga ana tjetër, sipas raportimit, Partia Demokratike kërkon një numër më të madh bashkish dhe rikthimin e disa njësive administrative. Ajo shtoi se PD ka kërkuar gjithashtu rikthimin e disa njësive administrative.
“Partia Demokratike, siç e the dhe ti më herët, ka kërkuar që të rritet numri i bashkive nga 61 që është në këto momente të shkojnë në 111 bashki, pasi sipas tyre centralizimi i pushtetit vendor në bashki më të mëdha do ta largojë shërbimin ndaj qytetarëve. Madje Partia Demokratike ka kërkuar edhe rikthimin e disa njësive administrative me qëllim që këto njësi administrative t’iu shërbejnë dhe t’iu ofrojnë më shumë shërbime qytetarëve”, u shpreh ajo.
Socialistët, sipas raportimit, argumentojnë se një numër më i vogël bashkish do të mundësonte menaxhim më të mirë financiar.
“Ndryshe mendojnë socialistët, të cilët kanë kërkuar një tkurrje, pasi sipas tyre edhe 61 bashki që ekzistojnë tani nuk kanë qenë të suksesshme sa i takon edhe menaxhimit të financave, kryesisht në këto bashki, pasi një pjesë e tyre janë edhe në borxhe të larta ekonomike”, tha Dunisha.
Debati për ndarjen territoriale pritet të zhvillohet paralelisht me diskutimet për reformën zgjedhore. Sipas gazetares, ndryshe nga reforma territoriale, ku palët kanë qëndrime të ndryshme për modelin e ndarjes së bashkive, për reformën zgjedhore ekziston një nivel më i madh dakordësie në disa çështje. Ajo tha se ka një “lloj konsensusi të heshtur” për disa pika të Kodit Zgjedhor, ndër të cilat përmendi financimin dhe transparencën e financave të partive politike.
“Reforma zgjedhore vijon të jetë ende ekzistuese. Pra, ky komision vijon të jetë ende ekzistues. Jemi në një fazë konsultimi. Deri më 30 nëntor do të vijojë mandati i këtij komisioni të posaçëm parlamentar, ku në këto momente janë në një fazë konsultimi me ekspertë shqiptarë dhe të huaj, por edhe me ekspertë zgjedhorë për ndryshimet e propozuara tashmë në Kodin Zgjedhor. Ndryshe nga reforma territoriale, e cila duket që i ka ndarë të dyja palët politike, për reformën zgjedhore ka një lloj konsensusi të heshtur sa i takon edhe pikave të cilat do të duhet të ndryshohen, kryesisht në Kodin Zgjedhor, siç është financimi i partive politike, gjithashtu edhe transparenca sa i takon financave të partive politike”, tha ajo. Në diskutime janë përfshirë edhe propozimet e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sipas Dunishës, ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të jenë në kohë për t’u zbatuar në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Do duhet të presim se si do të jetë rezultati i reformës territoriale dhe ndarja e re territoriale për të vijuar më pas edhe me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe implementimin e tyre së shpejti në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



