Regjistrimi i tokës bujqësore në qarkun e Shkodrës, ASHK: Mbi 300 kërkesa të miratuara në Malësinë e Madhe
Procesi i regjistrimit të tokës bujqësore dhe pajisjes së fermerëve me Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP, ka shënuar progres gjatë këtij viti në qarkun e Shkodrës. Sipas drejtueses së ASHK Shkodër një nga zonat me avancimin më të madh të procesit është Bashkia Malësi e Madhe, ku edhe kërkesat e fermerëve për pajisjen me AMTP janë më të shumta. Deri tani, në këtë bashki janë miratuar mbi 300 kërkesa për regjistrimin e tokës bujqësore, ndërsa më shumë se 100 të tjera janë në proces shqyrtimi.
“Vetëm për Malësinë e Madhe është një nga zonat ku janë dhënë më së shumti vendime për miratimin e tokës bujqësore në të gjithë Shqipërinë. Ne aktualisht kemi 302 kërkesa të miratuara për zonën e Malësisë së Madhe. Procesi ka filluar në vitin 2023, me krijimin e një task-force për tokën bujqësore, dhe më pas ka vijuar nga AHK Shkodër deri më sot. Aktualisht, që po flasim, kemi ende gati 100 e ca kërkesa të tjera në proces, të cilat janë në pritje të miratimit nga bashkia”, u shpreh Eglantina Frroku, Drejtuese e ASHK Shkodër.
Ndërsa në Bashkinë Shkodër, procesi ka nisur dhe po vijon në Njësinë Administrative Guri i Zi, ku deri tani janë trajtuar afro 50 kërkesa për regjistrimin e tokës bujqësore. Sipas drejtueses së Kadastrës, kërkesat për tokën bujqësore nuk mund të trajtohen në mënyrë individuale, por në rang fshati, pasi vendimmarrja kalon për miratim në këshillat bashkiakë.
“Për Bashkinë e Shkodrës, ne kemi filluar me zonën e Gurit të Zi, duke trajtuar 46 kërkesa për tokë bujqësore që janë administruar. Do të vijojmë më tej edhe me pjesën e përfundimit të fshatrave dhe zonave të tjera. Duhet theksuar që kërkesat për tokë bujqësore nuk mund të trajtohen si kërkesa të veçanta të individëve, por nevojitet që të trajtohet i gjithë fshati, duke qenë se e gjithë vendimmarrja kalon më pas për miratim në Këshillin Bashkiak”, tha Frroku.
Regjistrimi i tokës bujqësore në qarkun e Shkodrës është shoqëruar prej vitesh me vonesa dhe ndërprerje të shpeshta. Një prej problematikave kryesore ka qenë edhe refuzimi i fermerëve për t’u pajisur me AMTP, për shkak të mospërputhjeve me kufijtë e vjetër të pronës.
Gazetari: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




