Rifillimi i eksporteve të grurit nga Ukraina, hapet qendra koordinuese në Stamboll

Qendra e Përbashkët Koordinuese (JCC), e ngarkuar me monitorimin e eksporteve të grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi , u inaugurua zyrtarisht këtë të mërkurë, në Stamboll, siç parashikohet në marrëveshjet e nënshkruara më 22 korrik midis Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara. Eksportet e para të grurit ka të ngjarë të kryhen brenda javës.
Qendra, e vendosur në një akademi ushtarake, do të drejtohet nga “pesë përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së, si dhe Turqisë, si ushtarakë ashtu edhe civilë”, tha ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar gjatë ceremonisë së shkurtër të hapjes.
Bazuar në marrëveshjet e nënshkruara midis Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Turqia dhe nën kujdesin e OKB-së, Qendra do të kryejë inspektime të anijeve në nisje dhe mbërritje në Stamboll për të siguruar që ato të mos mbajnë asgjë tjetër përveç drithërave.
Rreth 25 milionë tonë drithë, veçanërisht grurë, i cili mbetet i bllokuar në portet e Ukrainës për shkak të pushtimit rus të 24 shkurtit, mungojnë në tregjet botërore.
Sipas Hulusi Akar, autokolonat do të nisen nga portet e Odessa, Chernomorsk dhe Yuzhny . “Përgatitja dhe planifikimi i nisjeve të para janë duke vazhduar”, theksoi ministri turk i Mbrojtjes.
Këto tre porte ukrainase kanë rifilluar funksionimin, njoftoi në të njëjtën kohë marina e Ukrainës.
Duke sqaruar se nuk do të ketë prani ushtarake rreth këtyre autokolonave, Akar renditi detyrat e Qendrës së Bashkuar të Koordinimit.
Qendra duhet të regjistrojë dhe gjurmojë anijet tregtare që do të marrin pjesë, të sigurojë monitorimin e tyre nëpërmjet internetit dhe satelitit, të kontrollojë anijet me ekipe të përbashkëta inspektimi në vendin e duhur gjatë ngarkimit në portet e Ukrainës dhe gjatë mbërritjes së tyre në portet turke./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




