Roskovec/ I vrau të atin dhe i plagosi të ëmën me armë gjahu, autori liron pas disa orësh peng ish-gruan

Refit Buzi, 35 vjeç, i dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit të tij dhe plagosjen e ish-vjehrrës në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ka liruar ish-bashkëshorten e tij, të cilën e kishte marrë me vete pas ngjarjes.
Pas krimit të rëndë, autori i dyshuar ishte larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, duke marrë me vete ish-partneren e tij, Rozalinda Plaka, nën kërcënimin e armës së gjahut që dyshohet se është përdorur në vrasje.
Pas disa orësh negociatash me forcat e policisë, 35-vjeçari ka vendosur ta lërë të lirë ish-bashkëshorten. Ajo tashmë ndodhet jashtë rrezikut dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, forcat e shumta të Policisë dhe repartet RENEA kanë rrethuar autorin e dyshuar dhe po vijojnë negociatat për dorëzimin e tij.
Ngjarja nisi mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00 në Vidhisht, ku Refit Buzi dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, si dhe plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka, 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



